Aplikacion
Duke shpallur fitoren në selinë e lëvizjes së tij në Podgoricë, Jakov Milatoviç, 37 vjeçar, tha se kjo “është nata që kemi pritur për më shumë se 30 vjet”.
Milo Gjukanoviç, 61 vjeç, i cili ka shërbyer herë si kryeministër e herë si president i Malit të Zi për 33 vjet, pranoi humbjen duke e uruar zotin Milatoviç.
“Mali i Zi bëri një zgjedhje dhe unë e respektoj atë. Le të jetë një president i suksesshëm. Nëse është kështu, edhe Mali i Zi do të jetë një vend i suksesshëm”, tha zoti Gjukanoviç.
Përkrahësit e Milatoviçit janë mbledhur nëpër qytetet e Malit të Zi dhe para selisë të Lëvizjes “Evropa tani”, duke festuar fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale. Ithtarët e tij valëvisin flamurin trengjyrësh serb, flamurin malazez, duke kënduar këngë nacionaliste serbe.
Zoti Milatoviç është zotuar gjatë fushatës për të forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian por edhe me Serbinë fqinje. Brenda pesë viteve të ardhshme, ne do ta udhëheqim Malin e Zi në Bashkimin Evropian”, tha ai duke kremtuar fitoren. Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, përgëzoi zotin Milatoviç për “zgjedhjen e tij si presidenti i parë evropian në historinë e Malit të Zi! Misioni ka përfunduar. Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur. Ne do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Jakov Milatoviç, i cili ishte ministër i ekonomisë në qeverinë që mori pushtetin pas protestave fetare pro-serbe në vitin 2020, bashkëthemeloi lëvizjen “Evropa Tani” në qershor të vitit 2022.
Milo Gjukanoviç, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe president aktual i Malit të Zi, është kritikuar nga kundërshtarët e tij për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar në vendin me rreth 620 mijë banorë.
Qeveria e Malit të Zi e kryesuar nga kryeministri Dritan Abazoviq e humbi votëbesimin gushtin e vitit të kaluar dhe qeveria ka tani një mandat teknik.
Pas rrëzimit të kësaj qeverie, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiç. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.
Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për ta bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç shpalli, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për 11 qershor të këtij viti.
Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza./VOA