zoom

Bota

Londra dhe Parisi përplasen për lëvizjen e emigrantëve në Kanalin Britanik

Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel, po përgatitet të kthejë mbrapsht anije të vogla që transportojnë emigrantë në Kanal britanik. Vendimi është marrë pavarësisht paralajmërimeve nga autoritetet franceze se ata mund të rrezikojnë jetën.

Prej dy vitesh stafi i Forcës Kufitare po trajnohet për të përdorur taktikat e “kthimit” në det. Kjo do të lejojë oficerët britanikë të detyrojnë anije të vogla të kthehen përsëri në ujërat franceze.

Është ende e paqartë nëse propozimet do të përfshijnë kthimin e emigrantëve në brigjet franceze.

Propozimet janë refuzuar nga qeveria franceze. Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin, deklaroi se “ruajtja e jetës njerëzore në det ka përparësi mbi konsideratat e kombësisë, statusit dhe politikës migratore”.

Darmanin njoftoi se autoritetet franceze ranë dakord me Mbretërinë e Bashkuar për të “dyfishuar numrin e personelit të vendosur në bregun e Kanalit Britanik” dhe ishte ofruar përdorimi i një avioni britanik për të monitoruar bregdetin.

Ministri francez gjithashtu hodhi poshtë një sugjerim nga Mbretëria e Bashkuar për të formuar një forcë të vetme për të ndaluar kontrabandistët e njerëzve të përdorin varka. Një numër rekord prej 13.500 emigrantësh kanë kaluar Kanalin me anije të vogla këtë vit, përfshirë 1.000 të tillë në dy ditët e fundit. /Euronews