Aplikacion
Korrupsion, abuzim me tendera e shpërdorim detyre, këto janë akuzat që ndër vite kanë çuar pas hekurave kryebashkiakët socialistë.
Më i fundit ishtë pikërisht kreu i ARRSH-së, Ervis Berberi, për tenderime dhe transaksione të dyshimta. Por pak javë më parë edhe kreu i një prej drejtorive të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, afër Erjon Veliajt, për çështjen e inceneratorëve.
Përveç kryebashkiakëve, të arrestuar janë dhe zyrtarë të tjerë socialistë, përfshirë këtu ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i liruar pak muaj më parë, ish-deputeti Alqi Bllako, si dhe ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi, të cilët akualisht ndodhen në burg.
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, në kërkim
Për nga rëndësia hierarkike në detyra shtetërore, këtë listë e kryeson ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i akuzuar ndoshta edhe më ashpër se të gjithë bashkëpunëtorët e Edi Ramës në këto 10 vite pushtet. Ahmetaj, aktualisht në arrati, i larguar nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se të bëhej publik vendimi i SPAK për të kërkuar ndalimin e tij, akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me çështjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Ahmetaj ka drejtuar Financat dhe Rindërtimin, duke qenë numri dy i Qeverisë me postin e fundit, nga ku ka firmnosur edhe dhjetëra vendime në emër të kryeministrit Rama.
Ish-ministri Saimir Tahiri, i dënuar
Në fakt, i pari njeri i rëndësishëm i socialistëve që u akuzua dhe u dënua nga drejtësia e re ishte ish-Ministri i Brendshëm, Samir Tahiri, me dosje përgjimesh nga Italia në vjeshtën e vitit 2017. Ai u dënua nga Gjykata me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa kreu vetëm 16 muaj burg. Por ky dënim nuk u shlye i gjithi, pasi Gjykata e Elbasanit argumentoi lirimin e tij me një raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku theksohej se bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm, për shkak të problemeve shëndetësore, nuk mund të kujdeset për dy fëmijët e çiftit.
Ish-ministri i Mjedisit, lefter Koka, i dënuar
Ish ministri tjetër, Lefter Koka, i larguar fillimisht nga socialistët drejt LSI-së, e më pas i afruar nga vetë Rama në PS, bart sot një nga çështjet e konsideruara si afera korruptive më e madhe e këtyre 30 viteve, ajo e inceneratorëve. Megjithëse i ka mohuar akuzat për firmosjen e koncesioneve në vitet 2013-2017 kur ishte ministër i PS-LSI, Koka u dënua me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar dhe procesi ende vijon në shkallët e tjera. Koka akuzohet për Elbasanin, Fierin dhe aktualisht hetohet për Tiranën.
Ish-ministri Ilir Beqja, nën hetim
Ministri më i fundit që iu shtua listës nga hetimet e SPAK është një nga miqtë më të hershëm të kryeministrit, Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, i akuzuar vetëm disa ditë më parë për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Ilir Beqaj akuzohet nga SPAK për koncensionin e sterilizimit ne shëndetësi, një koncesion i denoncuar nga opozita dhe i konkretizuar në dyert e drejtësisë nga Endri Shabani në emër të lëvizjes ‘Thurje’. Gjykata e Posaçme i komunikoi Beqajt këtë të hënë se përse kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe ndalimin për daljen jashtë Shqipërisë.
Deputeti Alqi Bllako, i dënuar
Bashkë me ish-ministrin Lefter Koka, po për inceneratorët, u arrestua edhe deputeti socialist Alqi Bllako, dikur ish Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, ku u firmosën koncesionet në fjalë. GJKKO me kërkesë të SPAK ka dhënë në shkallë të parë për të po dënim me 7 vite burg me gjykim të shkurtuar dhe procesi vijon në shkallët e tjera, teksa Bllako i ka mohuar akuzat.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nën akuzë
Vangjush Dako, për nga rëndësia si në parti ashtu edhe për lidhjet me Edi Ramën, cilësohej si ndër më të rëndësishmit, pasi fitoi disa mandate radhazi dhe siguronte vota të bollshme edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Fillimisht emri i tij doli në blerje të dyshuar votash në vitin 2016 në dosjen e përgjimeve “339”, por nuk u gjetën prova. Teksa u arrestua verën e vitit të kaluar për lejet e paligjshme të pallateve në Durrës dhe katet shtesë. Dako i mohoi akuzat dhe qëndroi në arrest me burg deri dy javë më parë, kur GJKKO rrëzoi SPAK, i cili nuk siguroi dot ekspertizë-provë ndaj Dakos. Masa u zbut në arrest shtëpiak. Dako hetohet edhe në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila në Durrës. Ai pret ende përfundimin e hetimeve që Gjykata e Posaçme të vendosë për fatin e tij.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i dënuar
Një tjetër i afërt bashkëpunëtor i kryeministrit, Safet Gjici, ish-kryebashkiak i Kukësit, është sot nën akuzë nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pas video-skandalit seksual të publikuar në media. Ai u akuzua se i dha ‘tenderin për sterilizimin e qenve’ një gruaje më të cilën u denoncua pas një video ku shfaqej në një aferë seksuale në zyrën e tij. Video u publikua në media, teksa Gjici shfaqej në momente intime pornografike dhe të dy pas një procesi me gjykim të shkurtuar u dënuan për korrupsion e shpërdorim detyre. Gjici s’i pranoi akuzat, teksa procesi vijon në shkallën e dytë.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i dënuar
Në fillim të vitit 2023 ishte kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, tashmë i dënuar me burgim, që u arrestua për shpërdorim detyre. Alla u arrestua në fillim të marsit, me urdhër të SPAK, për favorizimin e kompanisë “Englant SH.P.K” dhe dhe “BE-IS” Sh.p.k, përndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër Bulqizë, tender me vlerë 322.439.000 lekë të rinj. Gjithashtu në pranga kanë rënë dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Bulqizë. Ai u dënua me dy vite burgim dhe po vuan pjesën e mbetur, teksa procesi ndodhet në shkallën e dytë.
Ish-kryebashkiaku Fatos Tushe, i dënuar
Por më herët, më 6 korrik 2021, u arrestua dhe më pas dënua po për shpërdorim detyre edhe Fatos Tushe, ish-kryebashkiak i Lushnjës. Një tender me vlerë 24 milionë lekë është shkelja që çoi pas hekurave kryebashkiakun, bashkë me 10 persona të tjerë me tyre zyrtarë dhe ish-zyrtarë dhe dhe biznesmenë. Tenderi ishte dhënë në mënyrë të paligjshme për ndërtimin e një kanali vaditës. U dënua me dy vite burgim, që tashmë e ka shlyer, teksa vijon procesin juridik për pafajësi.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, nën akuzë
Një tjetër ishte edhe ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, që teksa i shpëtoi prangave shqiptare më 2020, u arrestua nga policia italiane, pasi u kap me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë një vit më parë. Kujtojmë se fshehja e një dënimi në Greqi për falsifikim parash në formularin e dekriminalizimit çoi në shkarkimin e Kajmakut nga drejtimi i bashkisë së Vorës. Pasi u zgjodh në krye të bashkisë më 30 qershor 2019 ai u denoncua nga PD për fshehjen e dënimit. Kjo akuzë u vërtetua nga prokuroria e Tiranës e cila mori informacione nga autoritetet greke. Në një letërporosi autoritetet greke konfirmuan se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.
Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili, i dënuar
Për t’u rikthyer sërish në qarkun Dibër, në vitin 2016 u arrestua kryetari i atëhershëm i bashkisë Dibër, Shukri Xhelili, pas publikimit të video-skandalit, ku kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Xhelili i dënua me 1 vit e 8 muaj burg për akuzën “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”. Ai u lirua nga qellia më 30 qershor 2017. Teksa vijoi edhe në shkallët e tjera kërkimin e pafajësisë.
Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, i akuzuar
Por edhe në vitin 2015, u arrestua kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, ndër të parët zyrtarë të lartë socialistë në pranga, pas një kerkesë të prokurorisë dhe me një vendim gjykate që kishte vendosur për të “arrest me burg”. Ai akuzohej për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumentave, ndërtim të paligjshëm dhe për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Bëhej fjalë për lejet e ndërtimit të pallateve pa vendim të Këshillit Bashkiak, por që në fund arriti pas një procesi të gjatë të dilte i pafajshëm.
Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, nën akuzë
Kryebashkiaku tjetër nga radhët e PS-së, i cili akuzohet nga SPAK është Fran Tuci, ish-kryetar i bashkisë së Fushë-Arrzit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Ndaj tij opozita ka bërë disa denoncime radhazi për prokurime e tenderë, shpërdorim i detyrës dhe përfitime të padrejta, të cilat i ka mohuar. SPAK vijon hetimet ndaj tij aktualisht.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison memolla, nën akuzë
Një tjetër kryebashkiak aktualisht nën akuzë për blerje votash e shpërdorim detyre, është i Rrogozhinës. Edison Memolla akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv ne zgjedhjet e 6 marsit 2023, të parakohëshme. Në atë kohë ai ishte drejtor lokal i një institucioni, teksa opozita e denoncoi me përgjime dhe SPAK siguroi provat. Aktualisht është nën akuzë në gjendje të lirë.
Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i dënuar
Kryebashkiak nga radhët e PS, i akuzuar nga SPAK është Kreshnik Hajdari. Tashmë ai është dënuar me 10 vite burg nga shkalla e parë e GJKKO, por i konvertuar në 140 orë pune në komunitet e shërbim prove. Kryebashkiaku i Kuçovës akuzohet për falsifikim dokumentash ne formularin e dekriminalizimit, pasi nuk ka vet deklaruar një dënim që ka marrë nga Gjykata e Janinës. KQZ nuk e gjeti të ligjshme që ta shkarkonte dhe hiqte mandatin, teksa SPAK e mori të pandehur dhe gjykata e dënoi. Çështja është apeluar.
Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema
Një tjetër kryebashkiake nën akuzë ka qenë edhe Juliana Mema, që drejton ish-Urën Vajgurore, sot Dimal. U denoncua nga një qytetar për prishjen e ndërtimit të tij me leje dhe konvertimin paligjshmërisht si pronë e një tjetër personi, duke kryer punime me interes lokal të institucionit dhe abuzuar. U ngritën dyshime edhe për aferë korruptive, teksa SPAK vijon hetimet e rastit në fjalë. Gjithashtu janë ndaluar, proceduar dhe dënuar disa drejtorë dhe zyrtarë të bashkisë për rastin e veçuar.
Drejtori në Bashki, Taulant Tusha, i arrestuar dhe nën akuzë
I cilësuar si krahu i djathtë i kryebashkiakut Veliaj, Taulant Tushë u arrestua në fillim të muajit dhjetor 2023, për inceneratorin e Tiranës, hetim i SPAK. Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka firmosur 15 udhër-arreste në vazhdim të hetimit të nisur tre vite më parë për kontratën e koncesionit “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë tregtare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, me vlerën e investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në shumën 128,248,330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH, firmosur më 31 gusht 2017. Nga 15 urdhërarreste të firmosura më 7 dhjetor 2023, 12 u ekzekutuan një ditë më pas mbrëmjen e 8 dhjetorit 2023. Ndërsa 3 persona, mes të cilëve Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të konsideruar dhe kokat e aferës, janë ende në kërkim ndërkombëtar. Janë arrestuar edhe Namik Simixhiu, me detyrë drejtor i Pastrimit te mbetjeve urbane Bashkia e Tiranes, Bledar Karoli, punonjës i ministrisë së Mjedisit dhe Jetmir Llapaj, punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit ndërsa është vetëdorëzuar Taulant Tushe, drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranes.
Drejtori i ARRSH-së, Ervis Berberi, i arrestuar dhe nën akuzë
Më i fundit është Ervis Berberi, një nga zyrtarët e lartë socialistë dhe afër ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Drejtori i ARRSH-së u arrestua mbrëmë për afera korruptive dhe tenderime abuzive me rrugët, bashkë me dy biznesmenë. Ai akuzohet edhe për pastrim parash dhe transaksione me kompani ndërtimi, duke i blerë lirë dhe shitur shtrenjtë, nëpërmjet veprimtarive të paligjshme. SPAK urdhëroi ndalimin e tij dhe të tjerëve, kurse GJKKO aprovoi masat e arrestit me burg. Paraprakisht bëhet fjalë për një shumë rreth 300 mln lekë të tenderimeve, me raste konkrete.
Zyrtarë të tjerë nën akuzë dhe hetim, apo të kërkuar
Është i pafund numri i zyrtarëve socialistë në nivele më të ulëta, drejtorë në rrethe apo institucionet lokale, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje me afera korruptive.
Rastet më të fundit janë ato të krerëve të Kadastrës së Lezhës, 13 zyrtarë e drejtorë, për tokat e bregdetit dhe falsifikimet. Sikurse edhe i Sarandës, me abuzimet e ish-kreut të ALUIZNI, Mariel Murati, për një hotel 7-katësh. Prokuroria kërkon arrestimin e 11 zyrtarëve, disa të ndaluar, të tjerë në kërkim, përfshi vetë Muratin. Po kështu linja e drejtorëve në Bashki dhe institucionet e linjës në KESH, OSHEE, AKBN dhe të tjera, që po hetohen për shpërdorim detyre në lidhje me tenderime të ndryshme. /ZOOM.AL/