zoom

Bota

Misteri i princeshës së zhdukur, princi i Dubait po mban peng të bijën

Titujt kryesorë të mediave ndërkombëtare janë kapluar nga misteri i historisë së Princeshë Latifës dhe zhdukjes së saj. Tre ditë më parë, BBC dhe Sky News do të publikonin një video, në të cilën vajza e udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum shprehej se ndodhej e kyçur në një vilë të rrethuar. Prej tre vitesh, e reja ka humbur çdo gjurmë të mundshme, teksa ishin miqtë e saj që publikuan pamjet e kësaj videoje të vjetër, si një mënyrë për të risjellë në vëmendje rastin në fjalë dhe për të ushtruar presion ndaj të atit, që akuzohet se po mban të burgosur të bijën.

“Unë jam peng dhe kjo vilë është shndërruar në një burg. Të gjitha dritaret janë të mbyllura, unë nuk mund të hap asnjë dritare”, dëgjohet të thotë princesha, teksa shton se videon po e regjistron nga banjo, si e vetmja dhomë ku ajo mund të ketë privatësi.

Ishte viti 2018 kur Priceshë Latifa, e ndihmuar nga miqtë e saj tentoi të largohej me anije nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por u ndalua në Indi. Po kështu ajo ishte përpjekur edhe një herë tjetër në 2002-shin, ku përsëri forcat indiane të sigurisë e kapën pranë bregdetit dhe e rikthyen në Dubai.

Marcus Essabri, një kushëri i saj i cili gjendet në Angli tha për BBC-në, se Latifa nuk i ka dërguar asnjë video në muajt e fundit dhe nuk di se çfarë bëhet me të.

“Kam frikë se ata e kanë kapur me celular”, u shpreh ai.

Ishin pjesëmarrësit e fushatës #Free Latifa (#LironiLatifën) ata që bënë të mundur dhënien fshehurazi të pajisjes telefonike, si një mënyrë për të komunikuar me të.

Lidhur me çështjen në fjalë, zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se do t’i diskutojë këto zhvillime me Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab i ka konsideruar këto video si shumë shqetësuese, duke shtuar se mbështet hetimin e OKB-së. Nga ana tjetër, zyra për media e Qeverisë në Dubai nuk i është përgjigjur kërkesës së mediave ndërkombëtare për koment.