zoom

Aktualitet

Ligji i numërpakëve!

Ligji i numrave të mëdhenj (LNM), në statistikë dhe probabilitet, thotë se kur madhësia e zgjedhjes rritet, mesatarja e saj i përafrohet mesatares të së gjithë popullatës.

Duke e shprehur me një gjuhë më të thjeshtë, atëherë në ligjin e numrave të mëdhenj, ligjet sasiore të dukurive masive do të shfaqen qartë, vetëm kur të ketë një numër të madh të tyre.

Thelbi i ligjit është se në numrat që përftohen me vëzhgim masiv, ka njëfarë korrektësie, e cila është e pamundur të zbulohet në një numër të vogël faktesh.

Ky ligj dhe tiparet e tij vetvetiu të vijnë në mendje sapo sheh rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më datë 14 maj 2023 për pushtetin vendor, dhe jo vetëm, por edhe të disa zgjedhjeve të fundit në Shqipëri.

Nxirren përfundime shteruese, shpaloset një entuziazëm arrogant dhe ushtrohet pushtet pothuaj i pasfiduar, kur numrat që të mbështesin i përkasin një sasie të vogël, sikur të veprohet në ambientin e një ligji numërpakësh.

Kështu, nisur nga shifrat të cilat filluan të dalin që në numërimet e para të fletëve të votave të hedhura në kuti votimi dhe që çdo numërim pasues po i konfirmon, mazhoranca feston me entuziazëm.

Pas 10 vitesh qeverisjeje pushteti qendror, me një mbivendosje të plotë me pushtetin vendor nga viti 2019, mazhoranca aktuale po shënon rekordin e marrjes së mandateve të treta në të dyja pushtetet dhe përqendrimin e konsiderueshëm të përfaqësimit në këto pushtete.

Me rezultatin e 14 majit 2023, mazhoranca rilindëse praktikisht ka në dorë një pushtet që i përafrohet autoriteti monist ose, e thënë figurativisht Shqipëria është bërë pothuaj njëngjyrëshe.

E ardhur në zgjedhje me shumë skandale qeverisëse dhe me përkeqësim të treguesve të korrupsionit, duket se këta tregues nuk ndikojnë në bindjen dhe votën e votuesit.

Përkundrazi, ndërtimi dhe mbrojtja me patos e një sistemi ndjekës të bindjeve politike dhe halleve të njerëzve, përmes rrjetit të patronazhistëve dhe aktivistëve, ka shërbyer realisht si fshesa me korrent për të konvertuar çdo mundësi në vota.

Përfundimisht duket që pronare e shumicës së biznesit bashkiak 850 milionë eurosh e më shumë në 4 vitet e ardhshme do të jetë PS.

Në konceptin ekonomik, pronar i shumicës bëhesh kur zotëron shumicën e kapitalit, në interes të mbrojtjes së investimit të shumicës.

Për të rritur efektivitetin ekonomik të përdorimit të kapitalit dhe rritjes së besimit në mirëqeverisje të biznesit, kapitalizmi modern ka parashikuar edhe mekanizma përmirësues, si përfaqësimi e mbrojtja e aksioneve apo pronarëve të minorancës.

Por i gjithë ky koncept është i përmbysur në përfaqësimin e pushtetit në Shqipëri.

Nëse nisesh nga shifrat, elementi kryesor që evidentohet është pjesëmarrja e ulët në votime. Pa hyrë në argumentet që përse politika nuk arrin të tërheqë më shumë votues në ditët e zgjedhjes, ky element evidenton:

Së pari, përmasën dramatike të emigrimit, për rrjedhojë edhe pakësim të votuesit të pranishëm. Pra fenomeni i shpopullimit është më se i prekshëm. Fenomeni është bërë edhe më i theksuar pas vitit 2013.

Së dyti, sado të jetë i pranishëm fenomeni i tërheqjes së votuesve nga kampi kundërshtar, këto shifra tregojnë që emigrimi më së shumti ka prekur atë pjesë të popullsisë që nuk është votuese e mazhorancës.

Kjo shpjegon prirjen që me rënien e numrit të votave, pesha e tyre përqendrohet gjithnjë e më shumë rreth PS-së. Kjo është edhe e pritshme nisur nga sistemi përjashtues dhe ndëshkues për këdo “që nuk është me ne”, i ngritur dhe përforcuar në vitet e qeverisjes nga mazhoranca aktuale.

Së treti, edhe duke zhveshur numrin e zgjedhësve nga masa e emigruar (me një përafrim), përsëri pjesëmarrja mbetet e pakënaqshme. Për analogji, në një tjetër shtet që rëndom etiketohet si autokraci, Turqia, që mbajti zgjedhjet po në datë 14 maj, në një moment kritik të ballafaqimit politik, pjesëmarrja në zgjedhje mendohet t’i përafrohet 90%.

Ndërsa në Shqipëri, pjesa e zgjedhësve që është emërtuar “elektorat gri”, vijon të mos e gjejë veten të përfaqësuar në programet, premtimet e mbi të gjitha në moralin e forcave politike dhe mbetet “indiferente”.

Së katërti, duket se në ndryshim nga vendi që morëm për krahasim, Turqia, sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe konfigurimet territoriale të brendshme kanë krijuar një situatë ku duket se forca votuese gërryhet e nuk përkthehet në forcë ndryshuese, përmes zgjedhjesh që mbahen nën një pushtet monist.

Për t’iu referuar shifrave, pjesëmarrja në këto zgjedhje, përafërsisht 1.3 milionë votues (sipas rezultatit paraprak të deklaruar nga KQZ) është ndër më të ulëtat. Numri i pjesëmarrësve është 21.5% më pak sesa në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015.

Ky numër është edhe 24% më pak sesa numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet për pushtetin qendror të vitit 2021, të cilat u mbajtën në periudhën e pandemisë Covid-19.

Duke u përqendruar në bashkitë e konsideruara si më të mëdha: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Vlorë dhe Korçë, të cilat së bashku kanë 48% (pra gati gjysmën) e numrit të zgjedhësve në listë në rang vendi, vërehet se pjesëmarrja në votime (sipas rezultateve ende të pjesshme të KQZ-së, datë 15.5.2023, ora 13:30) është 29% për kryetarët e këtyre bashkive, kur janë numëruar 81% e kutive të votimit.

Megjithëse kandidatët fitues të PS-së në këtë grup bashkish kanë dalë të tillë me 57% të votave, ata përfaqësojnë vetëm 16.5% të votave të zgjedhësve (17% ishte ky tregues në zgjedhjet vendore të vitit 2019).

Me të tilla shifra pjesëmarrjeje, normalisht ata që janë zgjedhur për të drejtuar pushtetin vendor do të duhet të reflektojnë thellë dhe të modifikojnë qasjen e tyre të ushtrimit të pushtetit. Por kjo është e pritshme në kushte normale dhe në kushtet e një gare normale alternativash.

Në frymën aktuale të ushtrimit të pushtetit, ose për aq sa kemi përvojë me qeverisjen 10-vjeçare, pritshmëria është që pushteti të ushtrohet sikur të përfaqësojë shumicën dërrmuese të popullsisë, pa vetëfrenim apo vetekuilibrim, pa respekt për mendimin dhe kërkesat e elektoratit jomilitant.

Nga krahu tjetër, opozita ka rrugë më të gjatë për të bërë dhe një analizë më të thelluar për të kryer për të gjitha rastet e humbura në përkthimin e problemeve të mazhorancës qeverisëse në vota fituese për të.

Por, në thelb, nuk duhet të ketë më argumentin se vota do t’i shkojë opozitës, për shkak të lodhjes së zgjedhësve me pushtetin dhe se ka ardhur radha e rrotacionit.
Zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2023 rrëzuan modelin e rrotacionit pas dy mandatesh, apo qoftë edhe modelin e lëshimit të një pjese të pushtetit.

Është e qartë se vendi qeveriset dhe me një parti. Askush nuk është naiv të mendojë të kundërtën. Por, kur çështjet i gjykon nga standarde të përparuara dhe që krijojnë kushte për zhvillim të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjitha palët, është më se e qartë se vendit i nevojitet një demokraci reale, përfaqësuese dhe me pushtete të balancuara. Në këtë pikë, demokracia në Shqipëri realisht është në një moment kritik.

Shqipëria, me çdo kusht, duhet të shmangë modelin meksikan, të një vendi shumëpartiak, në kufi me demokracinë më të zhvilluar në botë, SHBA, por me drejtim të pandërprerë të shtetit për 71 vite rresht (1929-2000) nga Partia Institucionale Revolucionare. PIR, e quajtur dhe parti masash, mund të ketë ndryshuar disa herë emrin e partisë apo elitat e veta gjatë 71 viteve në pushtet, por në thelb krijoi modelin e drejtimit njëngjyrësh të Meksikës.

Shqipëria nuk e ka luksin të hyjë në rrugën e këtij modeli.

Historia jonë tregon që produkti i një modeli të tillë është rrënues. Sidomos kur mbajtja e pandërprerë e pushtetit vjen si rrjedhojë e veprimit të ligjit të numërpakëve. /Monitor