zoom

Slider

Legjenda e Tiranës mbron Kombëtaren: Kritikat e Vatës dhe Muçës? Duan të bëhen presidentë

Agustin Kola është kundër të gjithë atyre që e kritikojnë Kombëtaren. Ish-legjenda e sulmit kuqezi thotë se Shqipëria po luan në sulm, po dominon kundërshtarët dhe kjo do të na sjellë rezultate pozitive në vazhdimësi. Në një intervistë për Panorama Sport ai thotë se është e papranueshme kritika nga Rudi Vata, ndërsa kundërshton edhe Shkëlqim Muçën, i cili gjatë ndeshjes me Hungarinë është shprehur ndër të tjera se “Hungaria ishte e lodhur këtë ndeshje”.

Kola, si e patë Kombëtaren ndaj Hungarisë?

Unë nuk kam parë ndeshje më të bukura nga Kombëtarja deri më tani. I referohem asaj në Poloni, si dhe kësaj në Elbasan ndaj Hungarisë. Kemi parë dy ndeshje në të cilat Shqipëria luajti në sulm. Dy ndeshje në të cilat kemi qenë superiorë me kundërshtarin. Flasim për Poloni dhe Hungari, niveli i të cilave dihet. Ishin edhe në “Euro 2020”.

Po kundërshtoni analizat nga legjendat e futbollit shqiptar…

Mua më vjen keq që e dëgjoj edhe nga shoku im, nga Çim Muça, i cili shpesh në koment thoshte: “Ishte e lodhur Hungaria”. Nuk bie dakord, sepse luajtëm ne dhe e nxorëm në pah këtë gjë. Po ne nuk kishim ndeshje me Poloninë, njësoj si hungarezët ndaj Anglisë? Ishte thjesht loja e Shqipërisë në sulm që e evidentoi lodhjen e tyre. Nuk bie dakord as me Rudi Vatën.

Kritika e Vatës ishte direkte, e faktuar me gabimin e Kumbullës në golin e dytë…

Po pse nuk thotë Rudi Vata që Shqipërisë nuk i dhanë një penallti sade, edhe me VAR? Koment që unë e kam dëgjuar nga italianët, jo se po e them unë. Nuk bie dakord se i njoh këta, shokët e brezit tim, se gjithë jetën kanë pretenduar të bëhen presidentë. Po luan Shqipëria, nuk po luan një ekip, Tirana, Partizani apo një tjetër. Është Kombëtarja që na gëzon të gjithëve jo një ekip qyteti. Sipas meje, ky ekip na nderon me këtë lojë. Është brez i bukur dhe shumë premtues.