zoom

Aktualitet

Lefter Alla përfundon në spitalin e burgut, sot Gjykata vendos fatin e tij

Ish-kryebashkiaku socialist i Bulqizës, Lefter Alla ditën e sotme ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka përfunduar në spitalin e burgut.

Gjykata e Posaçme e Apelit pritet të vendosë për fatin e tij rreth orës 15:00, kurse avokati i tij ka kërkuar një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg. Ish-zyrtari i lartë socialist nuk u paraqit në seancë por përfaqësohet nga avokati i tij.

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për abuzim me tenderat. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për dhjetë zyrtarë të tjerë, si dhe dy punonjës janë lënë në “arrest shtëpie”, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me tenderat për ujësjellësin, pasi kanë qenë anëtarë të komisioneve.

Sipas SPAK vlera e tenderit për të cilën akuzohet Alla kap shumën e 322.439.000 lekëve të reja, me afat kohor 10 mujor. Alla akuzohet se favorizoi një kompani për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër të Bulqizës, duke shkaktuar dëm të konsideruar në buxhetin e shtetit. Punimet janë kryer nga kompania, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

Arrestimi i Allës, erdhi në prag të zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen në 14 maj në 61 Bashki të vendit.