zoom

Bota

Lamtumirë Covid-19! Wuhan, mbahet koncerti i parë me mijëra njerëz në epiqendrën e virusit

Qyteti kinez i Wuhan-it, i cili dikur ishte epiqendër e Covid-19 ka mbajtur një koncert me mijëra njerëz gjatë fundjavës. Mbi 11 mijë njerëz morën pjesë në festival në ditën e parë të Wuhan Strawberry Music Festival. Pjesa më e madhe e njerëzve ishin pa maska dhe kërcyen e kënduan të gjithë bashkë duke mos u kujdesur as për distancën.

Festivali u rikthye sërish pas një viti mungesë, duke qenë se herën e shkuar u mbajt virtualisht për shkak të kufizimeve nga Covid-19. Megjithatë njëri prej organizatorëve të festivalit ka thënë për “Reuters” se numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Disa barriera u vendosën përpara çdo skene dhe stafi u kujdes që të kufizonte numrin e njerëzve në këto zona.

“Vitin e shkuar ne në Wuhan vuajtëm shumë nga koronavirusi. Nuk ka qenë e lehtë që të arrijmë këtu ku jemi sot. Njerëzit këtu janë vënë në një provë të madhe dhe kanë paguar një çmim të shtrenjtë. Kështu që ndjehem shumë i lumtur që jam këtu”, ka thënë një student, Gao Yuchen.

Wuhan ka pasur shumë pak raste të Covid-19 që nga momenti që u vendosën kufizime të rrepta vitin e shkuar për 2 muaj me radhë, kur virusi u përhap për herë të parë në qytet. Ditën e shtunë u regjistruan vetëm 16 raste të reja dhe të gjitha ishin të importuara nga jashtë dhe jo nga Kina. Gjithashtu Kina ka arritur të kryejë 265 milionë vaksina Covid-19, sipas të dhënave të lëshuara nga Komisioni i Shëndetit.