zoom

Sport

Lamtumira e hidhur e Nwabuezes, largohet si protagonist negativ

“Këpuca e artë” e sezonit të shkuar, surpriza më e bukur e edicionit 2019-2020, një lojtar që kur Laçi e afroi nga Podeda pak i njihnin, por që në fushë fitoi simpatinë sportive të shumë tifozëve falë aftësive të tij.

Kyrian Nwabueze erdhi tek bardhezinjtë në verën e 2019-ës dhe që në kompeticionet europiane gjeti rrjetën kundër Hapoel Beer Shevës. Më pas në kampionat u shfaq si një goleador race dhe fundin e një sezoni të gjatë e mbylli me 24 gola në kampionat më shumë se çdokush, dhe 5 asiste, megjithatë në ndeshjen e fundit të atij sezoni nisi kalvari.

Fillimisht një karton i kuq i drejtpërdrejtë marrë ndaj Teutës. Në Europa u duk sikur u rikthye ai i mëparshmi me një supergol sërish ndaj izraelitëve të Beer Shevës, por jo, disa gol tek tuk në kampionat dhe errësirë e plotë. Dëmtime muskulore, probleme me sytë, sjellje e shëmtuar në Ballsh ku më pas u dënua me 10 ndeshje pezullim.

Rikthimi dhe menjëherë karton i kuq me Kastriotin dhe në fund lamtumira e hidhur. Trajneri Duro konfirmoi në “Gol pas goli” se amerikano-nigeriani e kish mbyllur përvojën të Laçi, për të ardhur keq që kjo eksperiencë u mbyll për arsye shëndetësore, me sulmuesin që i është dashur t’i nënshtrohet urgjent një ndërhyrjeje kirugjikale në kokë, pasi ka një trashje të venave të gjakut dhe tashmë ka udhëtuar për në SHBA, pa harruar probleme të e hershme që ka pasur me zemrën, por edhe krizën e epilepsisë në ndeshjen e Kupës ndaj Partizanit.

Vërtetë një çast i vështirë për 28-vjeçarin, teksa kampionati shqiptar humbet një sulmues me potencial të lartë, me shpresën që problemet shëndetësore mos ti rrezikojnë fillimisht jetën e më pas karrierën.