zoom

Ekonomi

LAJM I KEQ/Numri i bankave me rëndësi në Shqipëri ulet në katër, hiqet “Intesa Sanpaolo”

Banka e Shqipërisë ka ulur këtë vit numrin e bankave me rëndësi sistemike.

Nga pesë banka që ishin më parë, duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti numri i bankave me rëndësi sistemike është reduktuar në katër.

Më konkretisht, nga ky klasifikim është hequr banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, ndërsa katër bankat e tjera që do të vazhdojnë të konsiderohen me rëndësi sistemike janë Banka Kombëtare Tregtare, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka Credins dhe Banka OTP Albania.

Përcaktimi i bankave me rëndësi sistemike bëhet bazuar në rregulloren nr.41, dt.05.06.2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit” dhe realizohet teknikisht në bazë të metodologjisë përkatëse. Qasja është e njëjtë me standardet përkatëse të aplikuara në Bashkimit Europian.

Banka e Shqipërisë shpjegon për “Monitor se, në bazë të metodologjisë, për secilën bankë të sektorit përcaktohet nota e rëndësisë sistemike (NRS). Treguesit përbërës të notës, ose kriteret mbi të cilat matet rëndësia sistemike e një banke, janë “madhësia”, “ndërlidhja”, “zëvendësueshmëria” dhe “kompleksiteti”.

Sipas metodologjisë, banka duhet të kapërcejë një nivel të caktuar minimal të NRS (niveli dysheme), për t’u konsideruar si bankë me rëndësi sistemike (BARS). Spektri i vlerave mbi atë nivel është i ndarë në 5 shporta me intervale të përcaktuar, dhe banka pozicionohet në shportën përkatëse në varësi të vlerës së NRS-së së saj.

Sipas rregullores, çdo shporte i korrespondon një vlerë e caktuar e shtesës së kapitalit për bankat me rëndësi sistemike (SIST). Banka mund të lëvizë midis shportave, apo të dalë nga grupi i bankave me rëndësi sistemike, në funksion të vlerës së NRS.

Niveli i NRS për çdo bankë monitorohet me frekuencë tremujore, por në bazë të rregullores lista e bankave me rëndësi sistemike dhe shtesat përkatëse makroprudenciale të kapitalit përcaktohen dhe shpallen një herë në vit, në tremujorin e parë.

Për vitin 2022, kjo është bërë me vendimin e Guvernatorit nr.1767, datë 31.03.2021. Lista e bankave me rëndësi sistemike përbëhej nga 5 banka, ku ‘Banka Intesa SanPaolo Albania sh.a.’ pozicionohej në shportën e parë, me vlerën e NRS pak mbi nivelin dysheme.

Për vitin 2023, lista e bankave me rëndësi sistemike (dhe shtesat përkatëse makroprudenciale të kapitalit) janë shpallur me vendimin e Guvernatorit nr.1403, datë 31.03.2022. Këtë herë, NRS e ‘Banka Intesa SanPaolo Albania sh.a.’ kishte zbritur nën nivelin dysheme për t’u konsideruar si bankë me rëndësi sistemike, ku ndikimin më të madh e kishin dhënë përbërësit ‘madhësia’ dhe ‘kompleksiteti’.

Efektet që sjell statusi i rëndësisë sistemike për një bankë tregtare janë të lidhura kryesisht me aspekte më rigoroze të rregullimit dhe të mbikëqyrjes. Për shkak të rëndësisë që kanë për qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit financiar, standardet ndërkombëtare dhe kuadri rregullator e mbikëqyrës në vend nxisin kërkesa më të larta për bankat me rëndësi sistemike, në krahasim me bankat e tjera.

Këto kërkesa, zbatohen në veprimtarinë operacionale mbikëqyrëse të Bankës së Shqipërisë, ku bankave me rëndësi sistemike iu kushtohen burime mbikëqyrëse më të mëdha dhe inspektime më të shpeshta.

Një nga pikat kryesore të mbikëqyrjes së bankave sistemike është cikli më i shkurtër i mbikëqyrjes në vend krahasuar me bankat e tjera. Kjo përkthehet në një intensitet të shtuar të kontrollit në vend të këtyre bankave si dhe angazhim më të madh të burimeve njerëzore dhe faktorit kohë në kontrollin e cilësisë së punës së këtyre bankave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për shkak të karakteristikave të veprimtarisë dhe profilit të rrezikut, është e pritshme që këto banka t’i nënshtrohen kërkesave më të larta për organizimin, drejtimin, për proceset e administrimit të rrezikut, për kapitalin, për likuiditetin etj.

Për të administruar situatat e stresit, bankat me rëndësi sistemike i nënshtrohen kërkesave ligjore e rregullatore në kuadër të procesit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, në drejtim të përgatitjes së planeve të rikuperimit dhe të zgjidhjes, si edhe përmbushjes së kërkesave minimale për fonde të veta dhe detyrime të pranuara.

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike duhet të kenë një masë kapitalizimit shtesë krahasuar me bankat e tjera të sektorit. Konkretisht, BKT duhet të ketë një normë të mjaftueshmërisë së kapitalit 1.5% më të lartë, Credins dhe Raiffeisen 1% më të lartë, ndërsa OTP Albania 0.5% më të lartë. Këto shtesa llogariten mbi nivelin bazë prej 12% dhe mbi shtesën konservuese të kapitalit prej 2%, që aplikohen për të gjitha bankat.

Ndërkohë, Intesa Sanpaolo kishte një shtesë makroprudenciale në masën 0.5%, por pas heqjes nga lista e bankave me rëndësis sistemike, prej fillimit të tremujorit të dytë, është çliruar nga një detyrim i tillë. Megjithatë, niveli faktik i mjaftueshmërisë së kapitalit të Intesa Sanpaolo është shumë më i lartë se kërkesat minimale rregullatore (23.77% në fund të 2021)./E.Shehu