zoom

Aktualitet

La Repubblica: Qendrat e emigrantëve në Shqipëri boshatisen. Operatorët kthehen në Itali

Teksa marrëveshja për emigrantët mes Romës dhe Tiranës ka ‘ngrirë’ për momentin për shkak të pengesave nga gjykatat italiane, një pjesë e madhe e personelit italian në qendrat e paraburgumit në Shëngjin e Gjadër, po rikthehet në Itali.

La Repubblica njofton se të gjithë operatorët socialë të Medihospes – kooperativa që menaxhon qendrat për mbajtjen dhe riatdhesimin e emigrantëve – do të kthehen deri nesër në Itali.

“Në anën tjetër të Adriatikut kanë mbetur vetëm disa shqiptarë që kujdesen për shërbimin shëndetësor dhe pastrimin, si dhe shtatë italianë: drejtori dhe disa punonjës administrative. Askush nuk është aty për të menaxhuar emigrantët. Dhe, në fakt, emigrantë nuk ka. Që nga 11 tetori, kur këto qendra u bënë funksionale, ato pothuajse nuk kanë pasur fare të strehuar” – shkruan media italiane.

Po ashtu, La Repubblica njofton rikthimin e 50 policëve, duke reduktuar numrin e forcave italiane të sigurisë në këto qendra, nga 220 në 170.

Anija Libra e Marinës Ushtarake italiane është ndaluar përkohësisht, zyrtarisht për shkak të motit të keq. Ekuipazhi mund të rikthehet brenda 24 orësh, por për momentin nuk ka udhëtime të planifikuara.

Edhe funksionarët e komisioneve territoriale për mbrojtjen ndërkombëtare, që duhet të shqyrtonin rastet e emigrantëve, janë caktuar për detyra të tjera.

Shpresat e qeverisë janë tani të lidhura me ndryshimet ligjore që synojnë zëvendësimin e seksioneve të imigracionit në gjykatat italiane me Gjykatat e Apelit, duke shpresuar që gjyqtarët të vendosin ndryshe nga Gjykata Evropiane.

Gjithashtu, më 4 dhjetor pritet që Gjykata e Kasacionit të japë një vendim mbi ankesat e Ministrisë së Brendshme kundër mosmiratimit të ndalimeve në Shqipëri dhe kundër kompetencës së gjykatave për të kontrolluar listën e vendeve të sigurta.

Por gjyqtarët mund ta shtyjnë sërish çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, ku tashmë janë në pritje disa çështje të tjera. Edhe me procedurë urgjente, do të duheshin disa muaj të tjerë.