zoom

Aktualitet

Ky është i riu që tmerroi policët e Divjakës. I qëlloi me kallashnikov dhe u mori makinën (FOTO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në Divjakë. Një 35 –vjeçar ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të disa makinave të policisë. Plumbat kanë prekur tre automjete, por fatmirësisht nuk kanë dëmtuar forcat e rendit. Autori është Artan Kaboci, një person problematik i zonës.

Ngjarja ndodhi kur punonjësit e policisë hynë në shtëpinë e tij, pas një sinjalizimi që kishin marrë se ai kishte krijuar probleme, pasi kishte konsumuar alkool.

Sapo ka parë policët në oborrin e shtëpisë, Kaboci ka nisur të qëllojë me kallashnikov drejt dy makinave të tyre. Policët dhe shefi i policisë së Divjakës i kanë braktisur makinat për t’u shpëtuar plumbave.

Disa minuta më vonë kanë ardhur përforcime me dy furgona. Por 35-vjeçari ka qëlluar edhe ndaj tyre. Më pas ka marrë njërin nga furgonat e policisë dhe është larguar. Në fshatin Spolate e ka braktisur furgonin dhe pak minuta më vonë është vënë në pranga në një lokal nga forcat e shumta të rendit që u vunë në ndjekje të tij.

Policia thotë se Kaboci krijonte probleme herë pas here kur ishte nën efektet e alkoolit. Këtë herë ai do të përfudojë pas hekurave nën një akuzë të rëndë siç është tentativa e vrasjes së punonjësve të policisë. ©Zoom.al