zoom

Politikë

Kush janë tre emrat e preferuar të Ramës për postin e Presidentit të Republikës?

Të hënën e ardhshme Kuvendi i Shqipërisë mban seancën e parë për zgjedhjen e Presidentit te ri te Republikes.

Deri më tani gjasat janë që kjo seancë të ezaurohet pa kandidat, kjo pasi negociatat mes palëve janë ende në fazë diskutimi për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.

Por ezaurimi i kësaj seance pa kandidat shton presionin mbi palët për të gjetur sa më parë një kandidat konsensual, pasi në rast të dështimit edhe të dy seancave të radhës, atëherë kjo do ti krijonte mundësi mazhorancës ta votonte e vetme presidentin e ri.

Dhe për këtë duket se shumica e majtë është përgatitur, pasi ka mundur të seleksionojë më shumë se 60 kandidatë të propozuar nga deputetët socialistë.

Por burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se tashmë që Rama e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjes së emri nga grupi parlamentar dhe një kandidati politikë, janë shtuar emrat që vijnë nga jashtë radhëve të socialistëve ose nga politika.

Kështu mësohet se një emër potencial për tu zgjedhur në postin e kreut të lartë të shtetit është ai i ish-kreut të KED, Ardian Dvorani, një nga emrat më të sulmuar nga ana e opozitës dhe në mënyrë të veçantë nga presidenti aktual.

Dvorani gjithashtu shihet si favorit edhe për faktin se ai një vit më parë u nderuar nga SHBA si kampion i luftës kundër korrupsionit.

Një tjetër emër që ka dalë në skenë ditët e fundit është edhe emri i ish-kryeprokurores Ina Rama. Kjo e fundit është aktualisht pjesë e organeve të vettingut dhe gëzon gjithashtu mbështetjen e mazhorancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një tjetër emër që vijon të mbetet në tryezën e Ramës është edhe ai i Majlinda Bregut, e cila aktualisht është e angazhuar në pozicione drejtuese të institucioneve të BE-së.