zoom

Bota

Kush është udhëheqësi i Al-Qaedas, konsiderohet më i rrezikshëm se Bin Laden

Organizata terroriste Al-Qaeda po përgatitet të bëhet përsëri një kërcënim për botën, siç ishte gjatë sulmit në New Jork më 11 shtator të 2001. Kështu pretendon media britanike “The Mirror”. Arsyeja sipas saj është ardhja e një udhëheqësi të pamëshirshëm, i cili ka nofkën “Shpata e Hakmarrjes”, ndërsa shërbimet e inteligjencës amerikane thonë se është më i rrezikshëm se Osama bin Laden, ish-udhëheqësi i al-Qaedas.

“I eturi për gjak, Saif al-Adel besohet të jetë udhëheqësi i ri i al-Qaedas dhe tenton të rekrutojë luftëtarë të Shtetit Islamik, si dhe të provokojë frikën e mizorive në të gjithë Perëndimin. Ai është një ish-gjeneral egjiptian, i cili besohet të jetë një strateg gjenial dhe i pamëshirshëm teksa do të marrë drejtimin e organizatës nga Ayman Zawahiri”, shkruan The Mirror.

Një ekspert i lartë britanik i terrorizmit tha për gazetën se në krahasim me Zawahirin, “Al-Adel është një udhëheqës shumë më efektiv, të paktën është i barabartë me Osama Bin Ladenin, nëse jo më i rrezikshëm se ai”.

Thashethemet se Zawahiri ka të ngjarë të ketë vdekur do të thotë që shërbimet e inteligjencës nga perëndimi do të duhet të kujdesen për riorganizimin e al-Qaedas, duke marrë parasysh se Saif, i cili ka një bazë në Iran, është shefi i ri.

“Spiunët britanikë dhe amerikanë kanë ndjekur lëvizjet e Saifit për vite me radhë sepse ishte i përfshirë në çdo sulm të al-Qaedas që ka ndodhur në tre dekadat e fundit”, shtoi teksti.

Xhihadisti egjiptian, veterani Ayman Zawahiri, mori drejtimin pas vrasjes së Bin Ladenit në vitin 2011, por vështirë se është dëgjuar për vite me radhë. Ish-eksperti i antiterrorizmit i FBI-së, Ali Sufan shkroi se Saif mund të ishte “emiri i tretë i al-Qaedas” me tre dekada përvojë në atë organizatë.

Shtetet e Bashkuara tashmë po ofrojnë 10.5 milionë dollarë për informacionet në lidhje me Saifin, i cili kërkohet për bombardimin e ambasadës amerikane në Nairobi dhe Dar es Salaam, kur u vranë 224 njerëz.