zoom

Ide & Blog

Kush do të luftojë për Edi Ramën në këto zgjedhje?

Dhunimi në publik, në sy të policisë, i disa mbështetësve të Lulzim Bashës nga një grup idhtarësh të Edi Ramës, në Elbasan, nuk ishte një përplasje militantësh.

Aty nuk u grushtuan simpatizantë të PS me ata të PD, të irrituar nga thirrje provokative siç ndodh në stadium me tifozët e dy skuadrave rivale në futboll.

Ajo që pamë nga videot e mediave dhe rrjeteve sociale ishte grupimi i disa personave me precedentë të ndryshëm penalë, të rrezikshëm, që goditën disa qytetarë që po protestonin kundër kryeministrit të vendit.

Nuk u përfshi në përleshje asnjë militant tjetër i Edi Ramës apo Partisë Socialiste. Nuk pati as kundërpërgjigjje në bllok të atyre të Partisë Demokratike. Qenë vetëm disa “të fortë” që po qëllonin si t’u vinte mbi të moshuar, burra e të rinj që po këndonin një parrullë të vjetëruar si “Rama ik”.

Edi Rama nuk është i vetmi kryeministër në botë që pritet me protesta. Në çdo vend ka pakënaqësi e dalje në rrugë ndaj qeverive. Dhe në çdo tubim janë forcat e rendit që kujdesen për sigurinë e krerëve të qeverive apo për ruajtur rendin. Ka edhe përleshje kur turmat janë agresive.

Në Elbasan, turma e PD-istëve nuk qe e dhunshme. Ajo thjesht prishi qetësinë e Ramës, për ç’ka policia s’mund të sillej si me banorët e Unazës së Re, me ata të Bulevardit të Ri, të Bregut të Lumit që u prishën shtëpitë, me të rinjtë që dolën rrugëve kundër vrasjes nga policia të Klodian Rashës, apo në protestat para Kryeministrisë dhe Parlamentit, duke hedhur gaz lotsjellës.

Por u përdor sërish forca kundër qytetarëve që s’e duan Edi Ramën. Kësaj here, dhuna e policëve ia la vendin asaj të bandave, që morën në dorë sigurinë, qetësinë dhe mbrojten e nderit të kryeministrit.

Ne i kishim parë grupet kriminale të kujdeseshin për pushtetin me kërcënime e para, nëpërmjet përgjimeve të publikuara nga Bild, që na treguan se si ishte siguruar pushteti.

Por në Elbasan, Ditën e Verës i pamë të dilnin hapur në shesh, të revoltuar kundër atyre që rrezikojnë karrigen e Edi Ramës e madje edhe kundër militantëve paqësorë të PS, si për t’u treguar të dyja palëve se kush do të luftojë sërish për pushetin e Edi Ramës. ©Zoom.al

FOTO+EMRAT/ Ja kush janë anëtarët e ekipit kriminal, me ta Rama prishi festën në Elbasan (VIDEO)