zoom

Bota

Kulmi i valës së tretë në Greqi! Shënohet rekordi negativ për këtë vit

Greqia ka regjistruar 3215 raste me koronavirus pas rreth 60000 testeve të së martës, një rekord i ri për këtë vit që shënon edhe kulmin e valës së tretë të pandemisë, e cila numëron prej fillimit të saj gati 210.000 të prekur në të gjithë vendin.

Bëhet fjalë për ditën e 8-të, me më shumë se 3000 të prekur prej nëntorit të kaluar, ndërsa është rritur përsëri numri i viktimave me 46 humbje jete në 24 orët e fundit, si dhe i personave të intubuar që ka shkuar në 484. Gati gjysma e rasteve të së martës, 1572, janë regjistruar në periferinë e Atikës ,395 në Selanik, 149 në Ahaia dhe 102 në Larisa.

Ndërkohë gjendja sa vjen e bëhet më dramatike për spitalet e kryeqytetit grek, dhomat e intubimit të të cilave punojnë me kapacitet prej 95% dhe tashmë është kërkuar edhe ndihma e klinikave private pasi çdo ditë shtrohen mesatarisht në gjithë vendin 390 paciente me Covid-19. Pas vdekjes së një foshnje vetëm 37 ditëshe me koronavirus, viktima më e re e pandemisë, mjekët pediatër japin alarmin pasi është rritur numri i fëmijëve të prekur dhe thuajse çdo ditë ka shtrime fëmijësh në spitale dhe shkak për këtë është varianti britanik i virusit.

Ndërkohë mbi 1.126.000 persona janë vaksinuar në të gjithë vendin prej të cilëve 372.500 kanë marrë edhe dozën e dytë. Megjithë shifrat e larta të rasteve dhe të të intubuarve specialistët vlerësojnë se do të kemi normalizim të situatës për disa javë dhe nëse kjo do të arrihet do të fillojë gradualisht lehtësimi i masave.

Gjithashtu ka optimizëm edhe për sezonin turistik, fillimin e të cilit ministri i turizmit e deklaroi për datën 14 maj me anë të një mesazhi “Gjithçka që ju doni është Greqia”, drejtuar shteteve anëtare të BE-së dhe jo vetëm.