Aplikacion
Në vitin 2005, isha këshilltar i një batalioni të këmbësorisë së ushtrisë irakiane që kryente operacione kundër kryengritjes sunite në Bagdad dhe rrethinat e tij, një nga periudhat më të dhunshme në atë konflikt. Asokohe ishte e vështirë të kisha ndonjë shpresë se gjërat do të përmirësoheshin.
Unë u riktheva në Irak në vitin 2009, këtë herë në Mosul, ku njësia ime këshilloi dhe mbështeste2 divizione të ushtrisë irakiane, një divizion policor federal irakian dhe mijëra policë lokalë. Këtë herë, ndjeva se kishte ndodhur më shumë përparim në terren.
Kur ika nga Iraku në vitin 2010, ndjeva se kishim bërë një punë të shkëlqyer, duke arritur të ndërtonim një forcë të aftë dhe kompetente të sigurisë. Një vit më vonë, u ndodha në Mazar-i-Sharif të Afganistan, duke rekrutuar dhe trajnuar njësitë policore dhe forcat speciale afgane.
Pas 9 muajsh qëndrimi atje u riktheva në SHBA duke menduar se kishim bërë një punë të mirë. Rezultoi se e kisha gabim në të dyja rastet. Në vitin 2014 kur isha me punë në Pentagon, pashë me ankth se si u shkatërruan brenda pak ditësh divizionet irakiane që i kisha trajnuar vetë kur u përballën me luftëtarët e Shtetit Islamik.
Sot, teksa talebanët po vendosin sërish nën kontrollin e tyre të gjithë Afganistanin, përfshirë atë që ishte zona ime e operacioneve, nuk mundem të mos ndalem dhe të reflektoj mbi rolin tim. Ku gabuam unë dhe kolegët e mi? Në shumë gjëra.
Që në fillim, gati 2 dekada më parë, përpjekja e ushtrisë amerikane për të këshilluar dhe trajnuar forcat ushtarake irakiane dhe afgane u trajtua si një lojë spontane, e përkohshme dhe se cilës i mungonte strategjia. Ne bashkuam në mënyrë mekanike ekipe të vogla ushtarësh, marinsash, marinarësh dhe avionësh, dhe u mësuam atyre disa aftësi themelore të mbijetesës, si dhe u dhamë leksione 1 orëshe në gjuhën vendase,përpara se t’i vinim në dispozicion të njësive të huaja për stërvitjet në terren.
Ne rekrutuam një personel të pa trajnuar për të kryer detyrat kryesisht administrative, dhe i detyruam ata të përqendroheshin kryesisht tek detyrat taktike, duke raportuar formalisht përparimin e tyre në tabelat e zyrave tona.
Mediat sociale dhe dokumentet zyrtare ishin të mbushura me imazhet e këtyre njësive.
Por nga udhëtimet e mia në Irak dhe Afganistan, kuptova se nuk u trajtuan kurrë realisht problemet më të mëdha sistematike. Ne nuk i ndërtuam me sukses si institucione forcat e armatosura irakiane dhe afgane.
Ne dështuam të ndërtonim infrastrukturën e nevojshme që të përballej në mënyrë efektive me edukimin ushtarak, trajnimin, sistemet e pagave, sistemin e karrierës, personelin, llogaridhënien, të gjitha këto elementë që përbëjnë një forcë profesionale të sigurisë.
Ekipet trajnuese që angazhoheshin me misione 6-mujore apo 1-vjeçare nuk mundën të zgjidhnin dot problemet shqetësuese me të cilat përballen ushtria dhe policia e Irakut dhe Afganistanit: korrupsioni endemik, rënia e moralit, përdorimi i shfrenuar i drogës apo kapacitetet e dobëta menaxhuese dhe logjistike.
Ne u treguam shumë të aftë në përgatitjen e togave dhe kompanive për të kryer sulme dhe për të operuar në pikat e kontrollit, por pak nga ne u qëndruan pranë në punën e përditshme. Sot është treguar se forcat më të mira në Afganistan janë komandot e forcave speciale, ekipe të vogla që veprojmë me guxim dhe profesionalizëm, dhe kjo për shkak të mbështetjes së vazhdueshme.
Nëse këto që lartpërmenda ishin gjëra që i bëmë dobët ose në mënyrë të pamjaftueshme, ka pasur gjëra të tjera që nuk duhej t’i kishim bërë fare. Ne nuk duhej të merreshim me trajnimin e policisë. Ne përgjithësi ne e pranuam se synimi ynë përfundimtar ishte që lufta kundër kryengritësve apo terroristëve të zhvillohej nga vendasit.
Pra nga policia dhe jo ushtria. Më kujtohet që viti 2006 në Irak supozohej të ishte “Viti i Policisë”. Në fakt ai vit ishte një vit i tmerrshëm dhe vdekjeprurës për policinë e gjithë vendit. Në Irak, unë mbikëqyrja trajtimin e mijëra policëve, ndërsa në Afganistan, drejtova një grup pune që verifikoi, përzgjodhi dhe rekrutoi gati 3.000 policë.
Dhe më duhet ta pranoj se unë kam zero përvojë në fushën e zbatimin e ligjit, dhe po kështu edhe shumica e ushtrisë amerikane, përveç disa trupave të Gardës Kombëtare. Ne në SHBA kemi njësi të Policisë Ushtarake, por ata kanë një rol unik operacional, në dallim nga forcat e sigurisë që u përpoqëm të krijonim.
Ne u përpoqëm ta kapërcenim këtë hendek duke punësuar disa oficerë policie të guximshëm që kishin dalë në pension, duke i angazhuar ata si këshilltarë teknikë dhe trajnues përkrah trupave të ushtrisë amerikane. Por edhe ata mund të fokusoheshin vetëm tek detyrat taktike, pasi u mungonte përvoja profesionale dhe personale për të ndërtuar institucione dhe sisteme kombëtare.
Ne nuk patëm asnjëherë shansin për t’u angazhuar në punët policore. Ushtria amerikane nuk mund ta kapërcejë mungesën që ka në aspektin e përvojës kombëtare dhe institucionale.
Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, ka pasur shumë dështime.
Ne i dhamë ndoshta më shumë përparësi sigurisë dhe mirëqenies së trupave tanë, mbi misionin e mbështetjes së kapacitetit të partnerëve tanë vendas. Ne e ndërruam shpesh personelin e huaj, gati çdo vit, dhe prisnim që ata të krijonin marrëdhënie pune me vendasit. Ne ishim tepër optimistë dhe i korrigjonim gjërat vetëm pasi shfaqeshin problemet. Ne nuk na pëlqente mbikëqyrja apo pyetjet e vështira nga Uashingtoni.
Në fakt askush nuk u shqetësua të na kërkonte llogari për ndonjë gjë. Ne nuk kishim kapacitete apo përvojë për disa nga detyrat që na ishin ngarkuar, e megjithatë nuk hasëm asnjë pengesë. Ne e pushtuam me të drejtë Afganistanin pas sulmeve të11 Shtatorit, por pastaj çfarë ndodhi?
Pse Shtetet e Bashkuara qëndruan në Afganistan për vite të tëra? Çfarë mund të thuhet mbi marrëdhëniet tona të trazuara me Pakistanin, dhe ndikimin e tij në Afganistan?Ne nuk zhvilluam një luftë 20-vjeçare në Afganistan; por 20 luftëra jo koherente, vit pas viti, dhe pa asnjë lloj busulle.
Ushtria amerikane mund dhe duhet të fajësohet për kolapsin që po pësojnë tani forcat afgane të sigurisë. Unë vetë ndihem fajtor. Por ne nuk jemi të vetmit përgjegjës. Një ditë ne do t’u kërkojmë të rinjve dhe të rejave që ta bëjnë sërish këtë gjë: të zhvillojnë një luftë jashtë shtetit, të bashkëpunojnë me forcat lokale, t’i trajnojnë dhe ndërtojnë ato. Por përpara se ta bëjmë këtë, u kemi borxh atyre të rinjve përgjigjet e pyetjeve të vështira se si dhe pse dështuam që të gjithë në Afganistan.
Shënim: Mike Jason, kolonel i ushtrisë amerikane, doli në pension pas 24 vitesh në detyrë aktive. Ai ka komanduar njësitë luftarake amerikane në Gjermani, Kosovë, Kuvajt, Irak dhe Afganistan. – Nga Mike Jason-“The Atlantic”/ Bota.al