zoom

Aktualitet

Kryetari i shoqatës së fermerëve, pas takimit me Ramën: Kryeministri, i painformuar

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve të Bashkuar, Eduart Sharka ka deklaruar në fund të takimit me kryeministrin Edi Rama, i cili i ftoi brenda në Kuvend, pasi ata ishin mbledhur për të protestuar, se ai nuk ishte shumë i informuar për problemet e tyre. Sharka tha se kanë rënë dakord që të takohen në vazhdim dhe të diskutojnë për problematikat e fermerëve.

“Ne pranuam këtë takim sepse përfituam nga rasti pasi prej muajsh nuk kishim asnjë shenjë. Kryeministri është i painformuar. I thamë kryeministrit për ndryshimin e mënyrës së shkuarjes te fermerët. Ndamë shumë këndvështrime të tjera.

Mendojmë që qeveria nuk e njeh gjendjen reale. 30% e fermerëve sivjet nuk kanë porositur për të mbjellë vitin e ardhshëm. Ramë dakord që cilësia e inputeve bujqësore është e pagarantuar. Na thërrasim për të dëgjuar dhe flasin ata. Duhet unë që të tregoj se çfarë vështirësish kam. I thamë kryeministrit ta dëgjojë nga ne kontekstin real. Pas disa debateve ramë dakord që të ulemi dhe të flasim”, tha Sharka.

Një prej fermerëve u shpreh se duhet përkrahje përndryshe ata do të falimentojnë.

“Nuk jemi kriminelë. Jemi punëtorë, Me duart tona ushqehet populli. Ne jemi të falimentuar. Nuk duhet të na ofendojnë. Duhet të na përkrahin që po punojmë tokat tona. Ne duam që të kemi zgjidhje. Nuk kam çfarë të shton tjetër. Kryeministri tha që do i shikojë kërkesat tona dhe do të takohemi në vazhdim”, deklaroi ai.