zoom

Aktualitet

Kryeministri nuk e përfshiu në listë, Xhafaj “sfidon” Ramën me votat preferenciale

Tashmë që Edi Rama ka konfirmuar mandatin e tij të tretë, ka filluar raundi i dytë e numërimit të votave të së dielës.
Tashmë ethet elektorale nuk kanë përfshirë partitë, por kandidatët.

Lufta nuk bëhet më mes kampeve kundërshtare, por brenda partive, ku kandidatët matin fuqinë mes llojit se kush gëzon më shumë besimin e qytetarëve.

Një kandidat që nuk është renditur në fillim të listës nga kryetari i partisë, ka një shans të hyjë në parlament, nëse thyen herësin. Herësi, është mesatarja e votave që i duhet një partie, për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.

Në varësi të qarqeve, herësi varion nga 7 300 vota, që regjistrohet në Vlorë, në 10 mijë vota që është në pjesën më të madhe të zonave të tjera zgjedhore.

Numërimi i deritanishëm nuk ka prodhuar ndonjë mundësi për garë reale brenda llojit. Ata që janë poshtë vijës së kuqe, pra jashtë pjesës fituese, nuk kanë arritur të marrin aq vota personale sa të thyejnë vullnetin e partisë.

I vetmi që ka një shans real në këtë drejtim, është Fatmir Xhafaj, i cili në Tiranë është renditur i 23-ti. Kur PS ka fituar vetëm 18 mandate. Ai ka grupuar deri tani disa mijëra vota, dhe nëse këtë tendencë e ruan edhe në kutitë që ende janë të panumëruara, do të hajë kokën politike të mashkullit më pak të votuar mes 18 të parëve të listës socialiste.

Aplikimi i listave të hapura dhe votës preferenciale u provua për herë të parë në Shqipëri në 25 prill.