zoom

Politikë

KQZ përjashtoi 69 deputetë të PD-së nga lista, vota e Rusmajlit u jep shpresë: Mund të rikthehen

Kandidatët që u skualifikuan nga lista e PD-së nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve javën që shkoi tani kanë sërish shpresë se pas 25 prillit mund të ulen në karrigen e Parlamentit.

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi dje me shumicë votash 3 me 2, vendimin e komisionerit Celibashi për të kufizuar numrin e kandidatëve në listë nga 222, në 153. Ishte vota e Ilir Rusmajlit ajo që bëri të mundur rikthimin në garë të 69 kandidatëve të PD-së. Anëtarët e propozuar nga Partia Demokratike në KAS lexonin ligjin zgjedhor njësoj si edhe Partia Demokratike.

Sipas tyre, Kodi përcakton vetëm numrin minimal të kandidatëve se sa duhet të jetë dhe jo numrin maksimal. Ndërsa anëtarët e propozuar nga PS-ja argumentonin se numri maksimal i kandidatëve të mos jetë më shumë se 177. Por ishte vota e Rusmajlit ajo që bëri diferencën. Ndonëse edhe ky i propozuar nga PS-ja, ditën e djeshme ai lexoi Kodin Zgjedhor njësoj si ish-partia e tij, pavarësisht se në seancën publike argumentoi se numri i madh i kandidatëve krijon vështirësi në menaxhimin fletës së votimit.

Nga ana tjetër, në seancë sekretari për çështjet zgjedhore të PD-së, Ivi Kaso, pranoi se numri i madh i kandidatëve shkakton probleme në fletën e votimit, por ai shtoi se ligji nuk i jep kompetenca komisionerit për të bërë ndërhyrje në listë. “Komisoneri ka shkurtuar listën, kjo vendimmarrje është në kundërshtim me ligjin, nuk ka dispozita ndonjë limit maksimal të kandidaturave, por në këndvështrimin tonë përmban një numër minimal kandidaturash, kemi kundërshtuar gjetjen e komisionerit dhe në radhë të dytë kemi kundërshtuar veprimin e tij në interpretim dhe zbatim të kësaj dispozite me reduktimin e listës, që nuk është e shkruar në asnjë dispozitë”, tha Kaso.

REAGIMI

Ndërkohë pas vendimit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, sekretari për çështjet zgjedhore të PD-së, Ivi Kaso, u shpreh se kjo ishte vetëm një nga fitoret e PD-së para 25 prillit. “Vendimi i sotëm i Komisionit të Apelimit konfirmoi qëndrimin e drejtë të Partisë Demokratike për listën e përfaqësimit në zgjedhjet politike të 25 prillit. Si gjithmonë, ne jemi në anën e ligjit dhe vendosim të parin interesin publik, përfaqësimin sa më të plotë dhe dinjitoz të të gjitha shtresave të shoqërisë.

Vendimi i mëparshëm i KQZ-së për të mos regjistruar listat e plota të koalicionit ishte një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, diktuar nga interesat politike të shumicës. Pas ndryshimit të rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme, shumica synoi të vendoste rregulla të tjera, të cilat parandaluan përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Tani koalicioni ynë po konkurron në potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programatik.

Por përfaqësimi i koalicionit të PDsë në zgjedhjet e 25 prillit me listat e plota është vetëm beteja e parë e fituar. Beteja më e madhe është ajo e ditës së zgjedhjeve: 25 prill. Qytetarët e dinë që këto zgjedhje nuk janë për Ramën apo Bashën: Këto zgjedhje janë për të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Këto zgjedhje vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Bashkimit Europian”, tha Kaso. Ndërkaq, përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, paralajmëroi se do ta ankimojë vendimin e KAS-it në Kolegjin Zgjedhor. “Shpejtësia e karrocës s’ka të bëjë me nr. e kuajve, por me cilësinë dhe mënyrën e vendosjes”, tha Salianji./Panorama/