zoom

Aktualitet

KQZ: Partitë politike dakordësuan krijimin e komisionit për reformën zgjedhore

Në mesazhin publik, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë të ditur se partitë politike parlamentare kanë dakordësuar për krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore.

KQZ iu ka sjellë në vëmendje partive për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Bëhet e ditur se data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve është 16 Prill 2023, ndërsa e fundit, 14 Maj 2023.

Mesazhi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi për partitë politike:

Partitë politike parlamentare dakordësuan krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore. KQZ sjell në kujtesë të këtyre partive domosdoshmërinë për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë larg. Data 16 Prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Data 14 Maj 2023 është data e fundit.

Përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, procedurat e nxjërrjes së rezultatit, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë online, përdorimi i fondeve publike në fushatë, digjitalizimi, janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar.