zoom

Bota

Koreja e Veriut feston 73-vjetorin e themelimit të shtetit (FOTO)

Koreja e Veriut ka festuar 73-vjetorin e themelimit të shtetit me një paradë ushtarake të mbajtur mbrëmjen e së enjtes.

Televizioni shtetëror ka publikuar pamje ku shfaqen ushtarakë me uniforma ngjyrë portokalli, por ndryshe nga paradat e mëparshme, nuk ka pasur ekspozim të raketave balistike.

Kim Jon Un ka qenë i pranishëm gjatë festimeve ku forcat paramilitare dhe të rendit publik marshuan në sheshin Kim Il Sung në Penian, raporton agjencia mediatike KCNA.

Veçantia e festimeve  të këtij viti ishte se pjesëmarrësit kishin veshur kostume mbrojtëse të ngjashme me ato që përdoren nga stafi mjekësor, në shenjë nderimi ndaj përpjekjeve në luftën kundër COVID-19.

Sipas raportimeve, Kim Jon Un nuk mbajti fjalim, por vetëm ka përshëndetur trupat nga ballkoni ku qëndronte.

Teksa marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë në pikën më të ulët, Kim dhe motra e tij kanë theksuar se Koreja e Veriut do të vazhdojë të rrisë kapacitetet mbrojtëse dhe i ka bërë thirrje Uashingtonit që të braktisë politikat armiqësore, duke lënë të nënkuptojë sanksionet e vendosura dhe mospranimin e Koresë së Veriut si fuqi bërthamore.

Por sipas ekspertëve, Kim ndodhet në një prej momenteve më të vështira që nga koha kur trashëgoi pushtetin afro një dekadë më parë. Koreja e Veriut ka mbyllur kufijtë për një periudhë pa afat për të shmangur hyrjen e coronavirusit në vend, por nga ana tjetër shpresat për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare duket se janë ende shumë larg. /Euronews