zoom

Aktualitet

Komiteti Teknik nuk ndryshon masat anti-Covid, maturantët kthehen në shkolla

Komiteti teknik i Ekspertëve u mblodh këtë të Mërkurë dhe vendosi të mos ndryshojë masat ekzistuese të marra për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Kështu, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 20:00-6:00. Gjatë kësaj periudhe, baret e restorantet po ashtu do jenë të mbyllura. Për lëvizje gjatë kësaj fashe kohore, nevojitet leje që merret përmes portalit e-Albania.

Shkollat e mesme që deri më tani kanë vijuar mësimin online, do të procedojnë ende në këtë mënyrë. Përjashtim bëjnë maturantët, të cilët do të lejohet të kthehen në shkolla, në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për provimet që do të duhet të japin në përfundim të vitit shkollor.

Edhe universitetet do mbeten online.

Po ashtu, fluturimet me Britaninë e Madhe do mbeten të pezulluara.

Masat rishikohen javën e ardhshme

Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli tha se situata paraqitet e stabilizuar, por delikate.

“Mbi shifrat që kemi dhe mbi analizën e shkaqeve dhe situatave, ekspertët mendojnë situata mbetet e qëndrueshme në atë tendencë e vënë re që para një javë për uljen e lehtë të incidencës dhe në numrin e jetëve të humbura, por shifrat përsëri nuk janë aty ku duhet të jenë për të liruar situatën. Prandaj kemi menduar se masat të shikohen javën e ardhshme, me përjashtim të faktit, që maturat të fillojnë mësimin në klasë”, shtoi ajo.

Shqipëria ka zyrtarisht 124 723 raste të konfirmuara me koronavirus, prej të cilave 90 617 janë të shëruar, ndërsa 31 879 aktivë. Numri i viktimave që nga nisja e pandemisë është zyrtarisht 2227.