zoom

Lajme

Komisioni për Shëndetësinë hyn në ngërç, anëtarët e PS kontroll të veçuar në QSUT për kontratat!

Hyn zyrtarisht në ngërç Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi. Socialistët po zhvillojnë mbledhje dhe hetime të pavarura nga pjesa tjetër e komisionit, fakt i denoncuar edhe më herët nga kryetarja Albana Vokshi.

Anëtarët e mazhorancës në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë, kanë njoftuar se ditën e sotme do të zhvillojnë një vizitë në QSUT për të parë zbatimin e kontratave objekt hetimi.

Mësohet se vizita do të zhvillohet në orën 13:00 dhe pjesë e grupit janë nënkryetari Plarent Ndeca dhe anëtarët e mazhorancës.

Ditën e djeshme kryetarja e Komisionit Hetimor Albana Vokshi, njoftoi se anëtarët e mazhorancës në komision kanë vendosur përjashtimin e opozitës dhe paralajmëroi se do të zhvillonin vizita në qendra shëndetësore e spitale për të propaganduar sipas saj gjendjen e mirë dhe të kënaqshme që ato kanë.

Edhe më parë PS ka bojkotuar Komisionin, teksa kërkon nga PD që të hetohet aktiviteti i prokurimeve në Shëndetësi që nga viti 2006. /ZOOM.AL/