zoom

Aktualitet

Kërkoi lirinë në Apel, GJKKO rrëzon kërkesën dhe lë në qeli ish-kryebashkiakun Jorgo Goro

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e ndaluar të Himarës, Jorgo Goro.

Zyrtari i lartë socialist u arrestua tre javë më parë për shpërdorim detyre, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe toke, që gjendet në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, në favor të ish-deputetit socialist Artan Gaçi, njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.

SPAK ka argumentuar se Goro, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Himarës, pa bërë asnjë verifikim konkret, sipas asaj që parashikon ligji, ka përcjellë pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara, duke bërë të mundur më tej regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 metra katrorë tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Goro ka mohuar akuzat, duke pretenduar se ka zgjidhur një konflikt mes palëve, dhe iu kërkua kjo ndërhyrje.

Por sipas SPAK, Goro ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqeje toke bujqësore, prej 5080 metra katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësinë e shtetit. Ish-ministrja Xhaçka shpëtoi së fundmi mandatin e deputetes fal votave të shumicës socialiste, pasi Opozita insistoi se kishte konflikt interesi. /ZOOM.AL/