zoom

Aktualitet

Kë spiunoi shefi i OFL?

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra për ish kreun e OFL, Artan Shkëmbin. Ndërsa ka folur për gazetarët avokati mbrojtës, i cili ka thënë se po punojnë për të zbuluar se si qëndron e vërteta dhe se do e apelojnë këtë vendim.

Ai tha se klienti i tij nuk ka disponuar asnjëherë një telefon që akseson platformën “Encro chat” e cila sipas hetimeve ishte vënë përgjim. Dyshohet se përmes këtij aplikacioni, Shkëmbi ka komunikuar me një grup kriminal dhe e ka njoftuar për një operacion të policisë gjermane kundër anëtarëve të tij. Por ky informacion nuk është i konfirmuar. Prokuroria është e rezervuar, pasi çështja është në hetim.

Avokati Artan Broci u shpreh se ngjarja do të zbardhet shumë shpejt dhe se klienti i tij është i pafajshëm.

Është i interesuar për të zbardhur ngjarjen sa më shpejtë”, tha avokati për klientin e tij. “U la në fuqi masa për pezullimin nga detyra të cilin do të apelojmë”.

Vendimi për shkarkimin i është komunikuar Shkëmbit nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Akuza e ngritur nga SPAKu është “Shpërdorim detyre” dhe “Nxjerrje sekreti”.