zoom

Politikë

KE, pro tryezës së negociatave. Por a janë përmbushur kushtet?

Komisioni Europian mendon se Shqipëria ka edhe një kusht për të përmbushur për t’u ulur në tryezën ndërqeveritare që shënon çeljen e negociatave, ai i bërjes funksonale të Gjykatës Kushtetuese.

Raporti i KE do të shqyrtohet nga shtetet anëtare, të cilat do të vendosin nëse Shqipëria i ka përmbushur apo jo kushtet.

Një vit më parë kur KE rekomandoi çeljen e negociatave, vendet më të rëndësishme të BE, si Franca e Gjermania, hodhën dyshime mbi objektivitetin e raportit.

Por ai ka përmbushur vërtet Shqipëria 15 kushtet e vendosura?

Le t’i shohim me një përditësim që Zoom.al sjell mbi secilin prej tyre.

  1. MIRATIMI I REFORMES ZGJEDHORE

Reforma zgjedhore u miratua këtë javë pa dakordësinë e opozitës, e cila thotë se ajo shkeli marrëveshjen e 5 qershorit. PPE, formacioni kryesor politik në Bruksel, reagoi duke akuzuar Ramën se me këtë votim pengon integrimin. PPE i bëri thirrje presidentit Meta të mos i dekretojë ndryshimet. Disa eurodeputetë kanë hedhur dyshim se ndryshimet do të cënojnë zgjedhjet e 25 prillit.

Kriter i përmbushur ligjërisht

  1. ZBATIMI I REFORMES ZGJEDHORE

Qeveria dhe opozita po e interpretojnë në mënyra të ndryshme reformën zgjedhore. Mazhoranca vendosi e vetme, në bashkëpunim me disa deputetë, për të cilët presidenti Ilir Meta ka hedhur dyshime se u blenë. Megjithatë, në zbatim të reformës, KQZ po formatohet, por duke sjellë në krye të saj ish-kryetarin e viteve 2001 – 2006, Ilirjan Celibashin, një militant partiak i PS, që ka shërmbyer edhe si ministër në qeverinë Rama, për marrëdhënet me parlamentin.

Kriter në proces

  1. FUNKSIONIMI I GJYKATES KUSHTETUESE

Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej 4 vitesh. Aktualisht ajo ka vetëm 4 anëtarë. Kuorumin minimal që ajo mund të marrë vendime është 6. Aktualisth presidenca ka hapur thirrjen për anëtarin tjetër, ndërsa KED rrëzoi 4 kandidaturat që iu paraqitën javën e shkuar.

Kriter i papërmbushur

  1. FUNKSIONIMI I GJYKATES SE LARTE

Gjykata e lartë nuk funksionon prej marsit të vitit 2019. Aktualisht ajo ka 3 anëtarë. Ardian Dvorani, që shkeli çdo afat të mandatit për të qëndruar në këtë gjykatë, u shkarkua nga KLGJ pas shumë debatesh.

Kriter i papërmbushur

  1. KRIJIMI DHE FUNKSIONIMI I BKH DHE SPAK

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u themelua në dhjetor 2019. Pak javë më parë u emërua edhe drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH. Ajo është Aida Hajnaj. Anëtarët e tjerë pritet të zgjidhen, teksa aplikimet kanë përfunduar. Deri tani SPAK nuk ka bërë ndonjë goditje të zyrtarëve apo ish –zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive, pavarësisht akuzave publike apo fakteve të paraqitura në media.

Kriter i përmbushur

  1. FORCIMI I LUFTES KUNDER KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TE ORGANIZUAR NE BASHKEPUNIM ME SHTETET ANETARE DHE PERMES PLANIT TE VEPRIMIT PER ADRESIMIN E KRIMIT FINANCIAR;

Një polici speciale që ka ne fokus luftën kundër krimit të organizuar është krijuar nga qeveria (OFL). Ajo i përgjigjet vetëm Ministrisë së Brendshme dhe vepron jashtë sistemit gjyqësor. Kjo polici ka fuqinë për të vëzhguar, ndjekur, përgjuar komunikime, konfiskuar pasuritë dhe të kërkojnë këdo në çdo kohë, pa pasur nevojë për një urdhër gjykate. Ka një debat mbi aktivitetin e kësaj strukture, pasi vë në dyshim ligjshmërinë e operacioneve.

Kriter në proces

  1. ULJA E NUMRIT TE AZILKERKUEVE

Numri i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE mbetet i lartë. Shqipëria është ndër një nga dhjetë vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në vitin 2019, duke u renditur së bashku me Irakun, Pakistanin, Iranin dhe Nigerinë. Edhe për vitin 2020, kërkesat për azil kanë pësuar rritje, vecanërisht në Francë.

Kriter i papërmbushur

  1. RISHKIMI I LIGJIT TE MEDIAS SIPAS REKOMANDIMEVE TE KOMISIONIT TE VENECIAS

Qeveria duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund miratimit të ligjit për mediat, ndonëse Komisioni i Venecias bëri thirrje për të mos e miratuar, për shkak se konsideron se ai do të kufizojë lirinë e medias. Edhe KE, KiE, OSBE dhe anëtarë të Parlamentit Europian e kanë kritikuar ligjin.

Kriter i papërmbushur

  1. VAZHDIMI I REFORMES NE DREJTESI

Rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë duhet të kalojnë procesi e vetingut. Afro 100 kanë dhënë dorëheqjen para se të verifikohen. Procesi është shumë i ngadaltë. Me këto ritme ai nuk pritet të përfundojë as në vitin 2028.

Kriter në proces

  1. FILLIMI DHE PERFUNDIMI I GJYKIMIT NE SHKALLE TE PARE KUNDER ISH -ZYRTAREVE DHE POLITIKANEVE TE PERFSHIRE NE BLERJEN E VOTAVE;

SPAK arrestoi disa komisionerë në Durrës, në një aksion që nisi bujshëm e përfundoi turpshëm. Vetë qeveria u kujdes që operacioni të bënte zhurmë. Në përfundim rezultoi se shumica e të arrestuarve u lanë të lirë. Për ta bërë operacionin qesharak u kujdes vetë SPAK që lëshoi urdhër arrest edhe për një ish –komisioner që kishte ndërruar jetë. Deri tani asnjë zyrtar i lartë nuk është cuar para drejtësisë për blerjen e votave në Durrës e Dibër, si pjesë e dosjeve 339 dhe 184. Në dosjen e Durrësit u publikuan përgjime të Vangjush Dakos kur ishte kryetar i Bashkisë së Durrësit, me një bandë të Shijakut, atë të Avdylajve, ku flitetj për blerje të votave. Në Dibër, në përgjime doli edhe kryeministri Edi Rama duke folur me një zyrtar të policisë të përfshirë në zgjedhje dhe Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë edhe Infrastrukturës, duke folur me Ymer Lalën, një njeri që PD e ka akuzuar si person me rrezikshmëri të lartë kriminale.

Kriter i papërmbushur

  1. PROGRESI NE REFORMEN ADMINISTRATIVE

Reforma administrative nuk ka sjellë rezultatet e pritshme. Bashkitë, në shumë zona, janë shndërruar në qendra punësimi për militantët. Një studim i UNDP për vitin 2019 zbuloi se shqiptarët në përgjithësi janë të pakënaqur nga performanca e bashkive.

Kriter i diskutueshëm

  1. VENDIMI MBI LIGJSHMERINE E ZGJEDHJEVE LOKALE 2019

Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur ende mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, ku Partia Socialiste garoi e vetme. Vendimi është një prej kushteve të vendosura nga Brukseli.

Kriter i papërmbushur.

  1. MIRATIMI I AKTEVE NENLIGJORE PER LIGJIN PER PAKICAT KOMBETARE;

Miratimi i akteve nënligjore për Pakicat Kombëtare është i paplotë. Këshilli i Evropës dhe Departamenti i Shtetit në SHBA i kanë bërë thirrje qeverisë të zbatojë më shumë masa mbrojtëse për pakicat.

Kriter në proces

  1. MIRATIMI I NDRYSHIMEVE PER RREGJISTRIMIN E POPULLSISE

Ligji për Rregjistrimin e Popullsisë është miratuar.

Kriter i përmbushur

  1. ECURIA E RREGJISTRIMIT TE PRONAVE

Procesi i regjistrimit të pasurive filloi në 8 qershor 2019 në jug. Por procesi është larg përfudimit.

Kriter në proces. / Zoom.al