zoom

Bota

Katastrofë në Azi, dhjetëra të vdekur nga përmbytjet dhe llava vullkanike në Indonezi e Vietnam

Të paktën 41 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në ishullin indonezian të Sumatrës, për shkak të përmbytjeve dhe rrjedhjes së llavës nga shpërthimi i një vullkani aktiv.

Llava e ftohtë, e njohur edhe si lahar, është një përzierje e mbeturinave vullkanike si hiri, rëra dhe guralecët që rrjedhin poshtë shpateve të një vullkani gjatë motit të lagësht.

Imazhet e shpërndara nga agjencia e reagimit ndaj katastrofave të Indonezisë treguan baltën e trashë dhe hirin që mbulonin pjesërisht rrugët dhe fshatrat malore pranë rrëzës së malit Marapi, një vullkan aktiv në Sumatrën perëndimore.

Agjencia tha se 84 shtëpi dhe 16 ura ishin prekur nga rrëshqitjet e tokës vullkanike dhe përmbytje të tjera ishin raportuar në katër rrethe, ku shirat e rrëmbyeshëm përmbytën më shumë se 100 shtëpi dhe ndërtesa.

“Të paktën 41 persona humbën jetën si rezultat i shirave dhe rrëshqitjes së lavës vullkanike”, tha në një deklaratë Abdul Muhari, zyrtar i komunikimit për agjencinë indoneziane të reagimit ndaj katastrofave, duke shtuar se 35 trupa janë identifikuar. Mali Marapi, 2891 metra i lartë, është një nga vullkanet më aktivë në Indonezi, i vendosur në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, me 127 vullkane aktive, më shumë se kudo tjetër në botë.

Por katastrofë pati edhe në Vietnam. Tre fëmijë kanë vdekur pas një rrëshqitje dheu, e shkaktuar nga shirat e dendur, njoftuan sot media shtetërore. Balta dhe gurët nga një kodër përfshiu një ndërtesë, pranë Hanoi-t, ku fëmijët po luanin. Shirat e rrëmbyeshëm me vetëtima kanë zgjatur për më shumë se një orë të dielën mbrëma në kryeqytetin e Vietnamit, duke përmbytur rrugët dhe duke shkaktuar probleme në qarkullim.Shiu shkaktoi një rrëshqitje të papritur dheu në komunitetin Bai Tri, në periferi të Hanoi.

“Fëmijët po luanin brenda ndërtesës kur ndodhi aksidenti,” tha një banor i komunitetit për AFP. Balta nga kodra shkaktoi shembjen e një muri të objektit, nën të cilin u zunë poshtë fëmijët”, të moshës tre deri në pesë vjeç, sqaroi banorja, e cila kërkoi të mos përmendet emri.

Ekipet e shpëtimit nxorën trupat nga rrënojat rreth orës 23:30 me orën lokale. Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor do të shkaktojnë një rritje të intensitetit të ngjarjeve ekstreme të motit, paralajmërojnë shkencëtarët. /ZOOM.AL/