zoom

Bota

Katastrofa natyrore/ Shirat varrosin fshatin, OKB: Të paktën 2 mijë persona të zhdukur! (VIDEO)

Katastrofa natytore nuk kursejnë askënd, madje as vendet më të varfra. Përmasa edhe më tragjike ka marrë ngjarja në një fshat të largët në Papua Guinea të Re, për shkak të rrëshqitjeve të dherave.

Sipas përditësimit të fundit të OKB-së, më shumë se 2000 njerëz u shtypën të gjallë brenda shtëpive të tyre.

“Rrëshqitja e dheut varrosi më shumë se 2,000 njerëz të gjallë dhe shkaktoi dëme të mëdha”, thuhej në reagimin e qendrës kombëtare ndaj emergjencave drejtuar delegacionit të OKB-së në kryeqytetin Port Moresby.

Më herët, një zyrtar i OKB-së theksoi se ekuipazhet e shpëtimit ishin në një “garë me kohën” për të gjetur të mbijetuarit.

“Kanë kaluar më shumë se tre ditë që nga katastrofa. Jemi në një garë me kohën, por pyetja është nëse do të mund të gjejmë njerëz të gjallë”, tha Serhan Aktoprak për AFP. Tragjedia ndodhi në një fshat kodër në provincën Enga, në pjesën qendrore të arkipelagut, i cili pothuajse u zhduk kur një pjesë e malit Mungalo u shemb natën e së enjtes deri të premten, duke varrosur dhjetëra shtëpi ndërsa banorët flinin.

Fillimisht, organizatat humanitare dhe përfaqësuesit e autoriteteve lokale shprehën frikën për humbjen e 100 deri në 300 jetëve, por më pas numri i të vdekurve u rrit në rreth 670, kur ekipet e shpëtimit kuptuan se fshati i goditur nga rrëshqitja e dheut kishte shumë më tepër banorë nga sa mendonin. /ZOOM.AL/