zoom

Lajme

Kaos në mbledhjen e Himarës, qytetari pështyn Tavon. Ndërhyn policia, prefekti dhe Klosi largohen

Tensione të ashpra sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës.

Një prej të pranishmëve në sallë, mbështetës i Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 majit, që ndodhet pas hekurave, ka pështyrë në fytyrë prefektin e qarkut të Vlorës, Vangjel Tavon (momenti në foton kryesore).

Ky i fundit ka replikuar me banorin e Himarës, ndërkohë që ka ndërhyrë dhe policia. Tavo, pasi iu kërkua nga përkrahësit e Belerit që të ikte nga salla, është larguar, bashkë me Blendi Klosin.

Në pamje shfaqen shumë qytetarë të irrituar, mesa tyre dhe një grua, e cila akuzon Tavon se është bërë bashkë me Ramën. “O pusht”, dëgjohet teksa i drejtohet zonja, Tavos. Nuk munguan as fyerje të tjera si “legen, s’je djali ynë…”, e të tjera.

Pritet të merret një vendim mbi vijimësinë e këshillit të bashkisë, ku do të vendosej se cili do të ishte nënkryetari që do të drejtonte Himarën, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Ndonëse policia kishte krijuar një kordon, qytetarët arritën të hynin në sallë. Ndërkohë që tashmë situata është qetësuar dhe mbledhja pritet të vijojë me rendin e ditës. /ZOOM.AL/