zoom

Politikë

Kandidatët e partisë së tij s’morën asnjë votë/ Murrizi: Më mirë kështu, se trafikantë!

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor mundësuan që në këto zgjedhje, qytetarët të votojnë edhe për kandidatin e preferuar përveç partisë. Pas procesit të numërimit u zbulua se rreth 80 kandidatë nuk kishin marrë asnjë votë, çka nënkupton se ata nuk kanë votuar praktikisht as për veten e tyre.

Nga Partia Balli Kombëtar, që drejtohet prej Adriatik Alimadhit janë 19 kandidatë që nuk kanë marrë asnjë votë. Edhe te Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare, e krijuar nga Myslim Murrizi, u konstatua i njëjti fenomen.

Në emisionin “Breaking” në Top News, Alimadhi tha se duhet të presim rezultatin, edhe pse numërimi ka kohë që ka përfunduar.

“Votat nuk është se janë numëruar saktësisht. Duhet të presim që të shohim rezultatin përfundimtar. Këta që kanë marrë vota, janë të gjitha të Administratës. Kemi një sistem tërësisht të kapur”, tha Alimadhi.

Ndërsa Myslim Murrizi tha se ndjehej krenar, pasi edhe pse disa nga kandidatët e tij nuk kanë marrë asnjë votë, ai nuk u propozoi shqiptarëve kandidatë kriminelë dhe hajdutë pulash.

“Kjo është një tallje që ndodhi për shkak të kodit zgjedhor. Vetë Kodi është tallje me kandidatët, edhe pse unë se kam votuar. Kam patur kandidatë që nuk kanë patur mundësi të votojnë vetën e tyre, por kjo është më mirë se sa të kesh trafikante droge si kandidatë. Më mirë kështu sesa të u paraqesësh shqiptarëve kandidatë me kobure në brez. Më mirë kandidati im pa asnjë votë, sesa hajdutët e batanijeve që na afrojnë këta. Jam shumë krenar për kandidatët e mi. Partia ime nuk mori asnjë lekë nga taksat e shqiptarëve. Ta dinë shqiptarët se këta të votuarit e mëdhënj kanë hargjuar mbi 380 mijë euro në Facebook.”, tha Murrizi.