Aplikacion
Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Brendshme përcakton kriteret për pastërtinë e figurës dhe kritereve profesionale që duhet të plotësojnë, si aksionarët dhe administratorët e operatorëve që do të aplikojnë për licencim dhe ata që do të punësohen nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it.
Linku me udhëzimin https://www.nacc.gov.al/wp-content/uploads/2024/05/2305_Udhezim_274_dt.16.05_Urdher_i_perbashketMin.bujqesise___Min.brendshme.pdf
Udhëzimi “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionit të nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës të punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, apo të subjekteve të licensuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
Për vlerësimin e figurës së pastërtisë Agjencia do të bashkëpunojë me disa institucione, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare, Gjykatat, Prokuroritë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore që do të kryejë testimet për përdorim lëndësh narkotike.
Të punësuarit në agjenci duhet të mos jenë përdorues të drogave, përfshirë kanabisin, të vërtetuar nga analizat e kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Të mos ketë në përbërje të certifikatës familjare anëtarë të dënuar me dënim të formës së prerë nga Gjykata në 5 vitet e fundit, si dhe të mos konstatuar si përdorues të lëndëve narkotike nga Policia e Shtetit.
Punësimi i tyre do të kryhet nëpërmjet aplikimeve. Aplikimi do të qëndrojë i publikuar për një periudhë 4 javore në faqen zyrtare të Agjencisë (deri tani në faqen zyrtare të Agjencisë janë publikuar 45 njoftime për vende pune).
Të njëjtat kritere që nga mospërdorimi i drogave, e vërtetuar me analiza të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore apo edhe anëtare të familjes së padënuar më parë duhet të plotësojnë për pastërtinë e figurës edhe aksionarët dhe administratorët e kompanive që do të aplikojnë për licencimin e mbjelljes dhe përpunimit të kanabisit.
Për pronarët dhe administratorët që janë shtetas të huaj me rezidencë jashtë vendit, të cilët për arsye objektive e kanë të pamundur kryerjen e testit të drogës, sipas udhëzimit testimi duhet të kryhet në shtetin rezident në një institucion homolog me Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Për verifikimin e pastërtisë së figurës prej tyre duhet të zotërohen përveç rezultateve të testimit të drogës edhe formularët e dekriminalizimit.
Po ashtu çdo punonjës i kompanisë që aplikon për marrjen e licencës, pronari dhe administratori, duhet të plotësojnë kriterin e veçantë etik, të mos kenë angazhime të tjera që i vendosin në kushtet e konfliktit të interesit. Si dhe të deklarojnë çdo veprimtari tjetër apo aksione nëse zotërojnë.
Përveç kritereve të pastërtisë së figurës punonjësit e kompanive të subjekteve të licencuara apo të lejuara do të duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh profesionale.
Udhëzimi, ndër të tjera te Neni 12 përcakton që kompania duhet të ketë të punësuar të paktën 2 punonjës, një të jetë i kualifikuar në fushën e farmacisë dhe 1 në fushën e agroinxhinierisë me përvojë punë jo më pak se 3 vjet. Njëri prej këtyre punonjësve duhet të jetë punësuar si drejtues teknik.
Punonjësit për gjurmimin duhet të kenë kualifikim në një nga shkencat si: elektronike, informatikë, matematike, fizike, kimike/biologjike, bujqësore etj. Ndërsa punonjësi përgjegjës për sigurinë duhet të ketë të paktën 3 vite eksperiencë pune. Punonjësi përgjegjës për financat duhet të ketë diplomë master të shkencave.
Sipas parashikimit të ligjit është ngritur edhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it. Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, është person juridik publik buxhetor në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Agjencia ka si mision mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it, dhe të prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore e industrial dhe monitorimin e zbatimit të ligjit.
Bima e kanabisit për qëllime mjekësore është i legalizuar në mbi 35 shtete, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Izrael, Danimarka, Kanadaja dhe Holanda. Në Europë janë 22 vende që kanë një legjislacion specifik për përdorimin dhe eksportin e kanabisit për arsye mjekësore dhe industriale./D.Azo