zoom

Politikë

Kadilli: Është një moment shumë i rëndësishëm për PD

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka votuar paraditen e sotme në zgjedhjet për drejtuesin e ri.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Kadilli u ka bërë thirrje demokratëve që të votojnë masivisht, duke e konsideruar 13 qershorin një moment për të reflektuar.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për PD, i ftoj të gjithë të marrim pjesë, ringritja fillon sot kur çdo anëtar merr përsipër përgjegjësitë e veta. PD-së iu rikthye kurajo dhe guximi, kjo parti do të jetë e pastër, e hapur, e bashkuar dhe fituese. Kjo garë u mbyll ashtu siç edhe nisi, e pabarabartë”, ka thënë Kadilli në një prononcim për mediat.

Kujtojmë që më herët votoi edhe kryetari në detyrë i PD Lulzim Basha i cili i konsideroi zgjedhjet si proces unik, ndërsa theksoi se vlerat e demokratëve janë konkurrenca, debati dhe shprehja e lirë.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe procesi do të përfundojë në orën 19:00. Ndërkohë në të gjithë vendin janë 76 qendra votimi dhe 75 mijë votues.