zoom

Aktualitet

“Ka sëmundje të pashërueshme…!” Shkarkohet gjyqtari ekuadorian që liroi nga burgu Dritan Rexhepin

Një gjyqtar ekuadorian, që liroi midis të tjerëve edhe Dritan Rexhepin rreth dy vite më parë, u shkarkua pasi akuzohet se favorizonte trafikantët e drogës.

Diego Poma, i cili shërbeu si gjyqtar i Garancive Penitenciare të Guayaquil, u shkarkua nga Këshilli Gjyqësor i Ekuadorit. Mediat vendase shkruajnë se kur Rexhepi kërkoi lirinë me kusht, ai argumentoi se vuante nga lupus eritematoz sistematik, një sëmundje e pashërueshme dhe inflamatore në të cilën sistemi imunitar sulmon indet e veta dhe prek kyçet, lëkurën, veshkat, qelizat e gjakut, trurin, zemrën dhe mushkëritë.

Në vitin 2021, gjyqtari Poma pranoi kërkesën e Rexhepit dhe vendosi që e drejta e shqiptarit për shëndet të mbizotëronte mbi ndalimin e daljes nga burgu, pasi ai duhej të ekstradohej pas përfundimit të dënimit. Rexhepi nuk ishte vetëm subjekt i dënimit ekuadorian, por edhe i dy kërkesave për ekstradim nga Shqipëria dhe Italia. Ekuadori kishte premtuar se do ta ekstradonte Rexhepin në Shqipëri kur të përfundonte vuajtjen e dënimit në vend, por ai u largua nga autoritetet.

Më 10 nëntor 2022, “Infobae” paralajmëroi se trafikanti shqiptar i drogës ishte liruar nga burgu.

Katër muaj më vonë, më 20 mars 2023, ai konfirmoi se dikush po firmoste në emër të tij. Më në fund, kur ligjvënësi i atëhershëm Fernando Villavicencio hetoi rastin, ky medium mori akses në të gjithë dokumentacionin e shërbimit të burgut dhe publikoi një raport të gjerë më 25 prill 2023. Tri ditë më vonë, më 28 prill 2023, autoritetet ekuadoriane e deklaruan Rexhepin si një person i arratisur, i cili i lejoi Interpolit të aktivizonte dhe të arrinte ta kapte , më 10 nëntor 2023 në Stamboll të Turqisë. Në këto tekste përmendej tashmë Poma dhe lidhjet e tij me trafikantët e drogës.

Rexhepi ishte i burgosur në Ekuador që nga viti 2014 për trafik droge, por ai u lirua paraprakisht në vitin 2021, që do të thotë se ai duhej të vuante pjesën e mbetur të dënimit 13-vjeçar jashtë burgut. Edhe pse Poma, e cila ishte gjyqtare në këtë çështje, vendosi disa masa për shqiptarin, asnjë nuk u ndoq. Ndër dispozitat, Poma kërkoi kontroll periodik, çdo pesëmbëdhjetë ditë, nga Policia Kombëtare, si dhe vizita mujore periodike nga punonjësja sociale e Qendrës së Heqjes së Lirisë nga e cila u lirua Rexhepi.

Gjithashtu çdo pesëmbëdhjetë ditë, shqiptari duhej të paraqitej në shtëpinë e besuar të burgut Litoral në Guayaquil dhe të firmoste një procesverbal. Ndonëse ishte urdhëruar të përdorte një aparat elektronik gjurmues, kjo masë më pas u hoq nga vetë Poma, edhe kjo me arsyetimin për shëndetin e Rexhepit. Nga informacionet zyrtare bëhet e ditur se në favor të Rexhepit kanë vepruar mbrojtësi publik, gjyqtari i atëhershëm Diego Poma, zyrtarë të burgjeve dhe mjekë publikë.

Disa dokumente të gjykatës italiane identifikuan Rexhepin, tani 42 vjeç, si ” mbreti i padiskutueshëm ” me akses në “sasi të pafundme kokaine” te Kompania Bello , një kartel i përbërë nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës dhe që, sipas autoriteteve, kishte funksionuar që nga viti 2014 në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali, siç u publikua në nëntor 2021 nga “The Wall Street Journal”.

Aktualisht Rexhepi, i dënuar me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e një polici në krujë më 1998, ndodhet i arrestuar në Turqi, ku përballet me proces ekstradimi, teksa kërkohet nga Italia dhe Belgjika, për drogë dhe arratisje. /ZOOM.AL/