zoom

Sport

Josa: Për futbollistët është mirë të shkojnë në kombëtare, për Vllazninë jo, të fitojmë me Bylisin

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa doli në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes kundër Bylisit. Ai tregoi gjendjen e skuadrës duke u shprehur i kënaqur me atë që ekipi i tij ka treguar në ndeshjet e fundit, ndërsa tha se tri pikët janë objektiv.

Bylisi – “Unë do të shoh lojtarët e mi që kam. Nuk e shoh si pikë kthese këtë ndeshje, por si pikë vazhdimësie. Kampionati do të ketë oshilacione. Ne kemi bërë mirë në një ndeshje, por kemi qenë shumë poshtë në tjetrën. Me fitoren që do të bëjmë, nëse do ta bëjmë. Luajmë kundër një skuadre shumë solide. Gjërat nuk merren të sigurta nga fillimi. Unë jam optimist për mënyrën se si lojtarët janë futur në lojë me Laçin, Durrësin apo me Partizanin, pavarësisht se humbëm”.

Vazhdimësia – “Nuk ka vazhdimësi sepse duhet rritur psikologjikisht. Ky është problemi i Vllaznisë. Ne nuk duhet të shohim luajmë jashtë apo brenda. Ne do të bëjmë të njëjtin futboll. Ata lojtarë janë. Ajo mënyrë duhet perfeksionuar. Duhet të jemi pak më të egjër. Të luftojmë më shumë”.

Kombëtarja – “Të shohim. Ky është një test që i bëhet lojtarëve. Për mendimin tim të shkojnë futbollistët në një javë në Arabinë Saudite dhe të vijnë, nuk do të na bëjë mirë. Por, duhet të shkojnë për të treguar veten. I uroj suksese!”.

Trajner i kombëtares – “Unë e kam thënë dhe herë tjetër. Je i nderuar kur je në listën e atyre që FSHF-ja ka në vëzhgim. Unë jam trajner i Vllaznisë. Jam i nderuar që përmendet edhe emri im. Janë gjëra që vendosen nga instanca të tjera. Unë jam i kënaqur këtu me stafin apo njerëzit që më drejtojnë mua”, tha Josa.

Ndeshja Vllaznia – Bylis do të luhet nesër në orën 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodrë. /zoom/al/