Konferenca e EPP për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Bruksel mblodhi anëtarët e EPP dhe deputetët e saj në Parlamentin Europian, ndërsa në panel ishin deputetë nga parlamentet e Ballkanit Perëndimor. Deputetja Demokrate, Jorida Tabaku, në fjalën e saj përgjatë punimeve të panelit të parë, analizoi situatën e procesit të integrimit të Rajonit dhe politikën e propozuar nga Partitë Popullore Europiane, që përbëjnë shumicën në Parlamentin Europian.
Deputetja demokrate analizoi situatën e procesit të integrimit në 10 vitet e fundit dhe deklaroi se sfidat me të cilat përballet Shqipëria janë të shumta dhe aspak të lehta, por duhet vullnet politik për të rikthyer shpresën dhe përmbushur kriteret e integrimit që janë pozitive për shoqërinë dhe transformuese për vendin.
Tabaku theksoi se korrupsioni mbetet problem jetik për vendin dhe një pengesë serioze që vështirëson dhe pengon rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
“Për një kohë të gjatë vendet tona dhe fatkeqësisht edhe Shqipëria, nuk kanë mundur të shkëlqejnë në atë drejtorinë e punëve të kryera me detyrimet karshi BE. Mbase, kjo ka qenë arsyeja që na ka kthyer ne si ato personat që kanë porositur një ‘pizza’ dhe më pas kanë zbuluar diçka tjetër për tjetër- diçka që ka qenë zhgënjyese për të dyja palët. Kjo mungesë progresi na ka çuar pashmangshmërisht në një mungesën e shpresës, demotivimit dhe që për fatin e keq ka eksportuar, ndonëse pa dëshirë, sfidën e emigracionit”, u shpreh deputetja demokrate.
Duke renditur problemet që sipas saj janë realisht bllokuese për procesin, Tabaku nënvizoi se arsyeja kryesore e dështimit lidhet me faktin që procesi nuk ka qenë kurrë realisht transformues dhe motivues për vendin dhe shoqërinë, por është kthyer në një proces burokratësh dhe Shqipëria është zhytur më tej në korrupsion, mungesë meritokracie, me një klasë politike që ka prodhuar një model politik të vjetër dhe demode.
“E kam të qartë dhe jam e bindur që emigrimi ndodh për një sërë arsyesh, por ne kemi dështuar të përdorim procesin e integrimit Europian si një mënyrë për të ndryshuar jetët. Mungesa e meritokracisë, korrupsioni dhe me një klasë politike të ngecur në një ndryshim gjenerate e të ankoruar në ‘gerentokraci’ kanë prodhuar një përpjekje të dështuar për të hapur negociatat në këto dhjetë vitet e fundit”, deklaroi Tabaku.