zoom

Sport

Joan Laporta presidenti i ri i Barcelonës, premton vijimësinë e Leo Messi-t

Joan Laporta është presidenti i ri i Barcelonës, i cili fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe ndaj dy rivalëve të tij. Laporta ka qënë drejtuesi numër një i klubit katalanas në vitet 2003 deri në vitin 2010, periudhë e artë për Barcelonën në të cilën filloi edhe epoka e Pep Guardiolës. Anëtarët e klubit katalanas votuan në shumicë për Laportën, që siguroi 30 mijë e 184 vota nga 55 mijë e 611 anëtarë që votuan duke fituar presidencën me 54.28%. Victor Font u rendit i dyti me 16.7% të votave dhe i treti e mbylli Toni Freixa me 8.6%.

Joan Laporta një nga presidentët më karizmatik të Barcelonës zëvendëson Bartomeun të dorëhequr tetorin e kaluar. Gjatë ditës së djeshme votuan për presidentin e ri edhe futbollistët e Barcelonës mes të cilëve edhe Leo Messi. Në fjalimin e parë pas fitores Laporta i entuziasmuar si objektiv kryesor përcaktoi vazhdimësinë e yllit argjentinas Leo Messi te blaugranët, që i skadon kontrata në fund të sezonit. Laporta do të drejtojë klubin për një mandat 6-vjeçar.