zoom

Stil

Jo më me bar! Me çfarë do t’i ushqejmë lopët në të ardhmen

Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë kanë zbuluar se gjedhët prodhojnë më pak metan që dëmton ambientin, nëse ushqehen me disa lloje të caktuara algash.

Dhe nuk është çudi që ushqimi i tyre i zakonshëm, shumë shpejt të ndryshojë. Shkencëtarët duket se e kanë disa kohë që kanë eksperimentuar duke përzier sasi të vogla të një alge të kuqe në ushqimin e qeve, dhe rezultati ka qenë befasues!
Ekspertët vunë re se algat e kishin ulur me 80 përqind sasinë e metanit që nxjerrin këto kafshë ripërtypëse.

Është pohuar me kohë se gjedhët prodhojnë sasi të mëdha gazi metan që dëmton klimën. Metani është 25 herë më i dëmshëm për ambientin sesa dioksidi i karbonit, dhe gjedhët që rriten për prodhimin e qumështit dhe të mishit prodhojnë mbi 9 përqind të gjithë gazrave të dëmshme për klimën, që shkaktohen nga njeriu.

Me një miliard lopë që numërohen në rruzullin tokësor, pasojat e konsumit të mishit dhe qumështit nga njeriu janë të mëdha për klimën. Pjesa që zenë vendet e industrializuara në këto pasoja, është shumë më e madhe se e vendeve të tjera.

Konsumi për kokë i mishit në vendet e industrializuara është tre herë më i lartë se në vendet në zhvillim. Në krye të listës qëndrojnë Australia, SHBA dhe Spanja me konsumin e mbi njëqind kilogrami mish në vit për frymë.