zoom

Aktualitet

Java nisi e nxehtë, por moti “merr kthesë” ditën e enjte. Si ndryshojnë temperaturat

Kjo javë pritet të jetë kryesisht në ndikim të kushteve atmosferike të qendrueshme dhe të nxehta.

Dita e hënë nisi me mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira kalimtare, ndërsa temperaturat regjistruan deri në 37 gradë në zonat e ulëta e ato bregdetare.

E njëjta situatë parashikohet edhe për ditën e martë dhe të mërkurë, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, por termometri zbret deri në 34 gradë në zonat e ulëta dhe në bregdet.

Ditën e enjte pritet që vendi ynë të jetë në ndikim të kushteve atmosferike relativisht të paqëndrueshme, ndërsa temperaturat do të zbresin më tej në 33 gradë.

Moti parashikohet të jetë me vranësira dhe pas orëve të mesditës mot me kthjellime.

Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në veri dhe qendër të vendit.

Në orët e mesditës reshjet e shiut do të riaktivizohen përsëri, por vetëm përgjatë relieveve malore të vendit.

Ditën e premte moti parashikohet të jetë kryesisht i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare.

Era parashikohet të jetë kryesisht nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës kryesisht ditën e hënë pritet të fitojë shpejtësi deri në 12-14m/sek. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 2-3 ballë.