Aplikacion
Ajo që Pep ka bërë te Man.City është një histori që do të kujtohet ndër brenza, ky ishte titulli i tij i 6-të në tetë vite, titulli i katërt radhazi, si asnjë tjetër më parë. Me suksesin në Angli, Pep e dërgon në 38 numrin e trofeve të fituar:
“Kur erdha këtë, nëse dikush do të më thoshte se do të fitoja 6 tituj në 7 vite, do ta merrja për të çmendur. Titulli në javën e fundit? Arsenal na ka shtyrë në një tjetër nivel. Më përpara e kishte bërë Liverpool. Ky kampionat ka qenë i jashtëzakonshëm”, u shpreh Guardiola duke bërë më pas një koment për Jurgen Klopp:
“Do të më mungojë shumë. Jurgen ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e karrierës time. Më ka dërguar në një nivel tjetër si trajner. Kam një ndjesi se do të rikthehet, e falënderoj shumë për fjalë që ka thënë për mua, se jam trajneri më i mirë në botë”, theksoi Guardiola duke bërë në fund dhe një koment në lidhje me të ardhmen e tij në krye të Man.City, skuadër me të cilën ka një kontratë deri në 2025:
“A do të rinovoj? E vërteta është se jam më pranë largimit se sa qëndrimit. Kam folur me drejtuesit, i kam thënë se për momentin do të qëndroj. Do të jem këtu edhe vitin e ardhshëm, më pas do të flasim. U bënë 8 vite këtu, nëntë bashkë me vitin tjetër, të shohim”, u shpreh Guardiola.
Premier League, por mbi të gjitha klubi i Liverpool, humbi një ikonë shumë të madhe, një trajner si Jurgen Klopp, i cili e mori klubin e kuq në një moment shumë të vështirë, duke e rikthyer sërish në majën e Anglisë dhe Evropës. Liverpool dhe tifozët e kuq u kujdesën në sfidën e fundit t’i dhuronin Kloppi-t një lamtumirë të denjë për atë që përfaqëson, një lamtumirë emocionuese:
“Nuk besoj se ishte një lamtumirë normale. E dija prej kohësh që lidhja jonë ishte bërë shumë speciale. Jemi argëtuar shumë së bashku në këto nëntë vite, afro një dekadë”, u shpreh Klopp duke folur më pas për të ardhmen: “Nuk ia kam fare idenë se çfarë do të bëj. Sigurisht do të udhëtoj shumë, kam shumë gjëra për të bërë larg futbollit, por nuk kam planifikuar asgjë. Tani nuk mund të them asgjë, nuk është koha për të menduar për futboll, thjesht ju them mirë u takofshim, u shpreh Klopp. /ZOOM.AL/