zoom

Politikë

Izet Haxhia humb përballjen me Sali Berishën! Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Prokurorisë

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për thirrjen si dëshmitar
të ish-Kryeministrit Sali Berisha në procesin gjyqësor ndaj Izet Haxhisë.

Ky i fundit po rigjykohet për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdarit. Sipas “Balkanweb”, vendimi është dhënë në Gjykatën e Tiranës në vijim të shqyrtimit të çështjes për vrasjen e ishdeputetit Azem Hajdari.

Më herët, Gjykata është shprehur se vendimi nëse ishKryeministri Sali Berisha do të thirrej ose jo për të dëshmuar në këtë proces, do të jepej pasi të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit okular të vrasjes së Azem Hajdarit.

DËSHMITARËT NË PROCES

Në procesin gjyqësor që po zhvillohet për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari, pritet të dëgjohet dëshmia e Zenel Nezës, i cili mbeti gjithashtu i plagosur në ngjarje. Gjykata, më herët refuzoi një numër të madh dëshmitarësh, mes tyre edhe Fatos Klosin ish-kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar. Sa i përket Aishe, Zylfie e Muharrem Haklaj, Gjykata ka vendosur se nuk është e nevojshme të merren dëshmitar pasi nuk kanë qenë të pranishëm në vendin ku dhe kur ka ndodhur ngjarja. Izet Haxhia po rigjykohet për akuzën e vrasjes në dëm të deputetit Azem Hajdari.

Ai ishte dënuar në mungesë me 25 vite, por pasi vendosi me vullnet të ekstradohej nga Turqia drejt Shqipërisë, procesi është rihapur dhe ai këmbëngul në sallën e gjyqit se nuk ka lidhje me krimin që tronditi vendin mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998. Sakaq, kur ndodhi atentati, Azem Hajdari shoqërohej nga dy badigardët e tij, Zenel Neza dhe Besim Çera.

Ky i fundit mbeti i vdekur gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërsa Neza mbeti i plagosur. Por ajo që dihet tashmë është se personi i parë që takoi Neza pasi doli nga operacioni është Sali Berisha. Në disa pamje filmike të bëra publike shihej se si Berisha komunikonte shumë afër me të privatisht, ndërsa në një moment të dytë Berisha shfaqet në shoqërinë e një botuesi të njohur, i cili mbante në dorë një diktofon duke regjistruar fjalët e shkëmbyera mes tyre.

DËSHMITARI

Zenel Neza iku në Belgjikë dhe mori atje statusin e azilantit, duke refuzuar thirrjet e Prokurorisë për të dëshmuar në procesin e zhvilluar më parë. E vetmja gjë nga Neza është një dëshmi që ai ka dhënë në Gjykatë përmes një videokonference, ku nuk është shprehur qartë mbi ngjarjen, edhe pse ai ishte dëshmitari kyç. Në atë video-konferencë, i pyetur nëse ka qenë Jaho Salihi autori i atentatit, dëshmitari ka thënë se edhe mundet, por pa qenë i sigurt.