zoom

Aktualitet

“Ishin të rrallë, ashtu ishte kismeti”, alkooli dhe shpejtësia u mori jetën vëllezërve dhe kushëririt

Shpejtësia tej normave të lejuara, por edhe gjendja e dehur e drejtuesit të mjetit dyshohen të jenë shkak i aksidentit të rëndë, që shkaktoi 3 viktima dhe një të lënduar rëndë në orët e vona të së enjtes në Kashar.

Makina me targa rumune drejtohej nga 29 vjeçari Zija Stefanescu, i njohur edhe me mbiemrin Murati. Edhe ai është i afërm i tre viktimave.

Sipas burimeve, mbrëmjen e së enjtes, ata ndodheshin në një lokal të zonës, edhe pse jashtë orës policore. Teksa po ktheheshin për në shtëpi, makina ka lëvizur drejt rrugës kryesore dhe pasi ka humbur kontrollin, 29 vjeçari u përplas me murin rrethues të një banese që ndodhej aty pranë. Në vendngjarje, duken ende shenjat e frenimit të mjetit.

Ismail Sulaj, Belul Sulaj dhe Dashamir Dema humbën jetën në vend, ndërsa 29 vjeçari Murati ndodhet në spitali e Traumës. Arrestimi atij iu komunikua aty. Për banorë të zonës, ata njihen si persona jo problematikë. “Më të mirë nuk ka ku të shkojë. Të gjithë të mirë. Ishin djem tezesh, ishin njerëz të rrallë, ashtu ka qenë kismeti” thanë ata.

Policia është në pritje të përgjigjes nga Mjekësia Ligjore për të vërtetuar nëse shoferi 29 vjeçar ishte ose jo nën efektin e alkoolit. Ai kishte një vit që ishte kthyer në vendin tonë, pasi jetojnë në Angli.