zoom

Aktualitet

Ish-kryeprokurori, i sëmurë/ A do arrestohet Adriatik Llalla?

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka shtyrë dhënien e vendimit përfundimtar për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Vendimi për ish-kryeprokurorin,i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, pritet të jepet me 22 shtator, ora 13:00.

Më herët gjatë seancës, avokati i Llallës i kërkoi gjykatës pafajësi, kthim të çështjes për rigjykim në shkallën e parë, ose në rast fajësie pezullim të dënimit me burg.

Në seancë avokati paraqiti një akt ekspertim mjeko-ligjor, me të cilin provonte se Llalla ishte i sëmurë dhe në regjim spitalor.

Sipas tij, ish-kryeprokurori është në gjendje të rëndë.

“Vuan nga një sëmundje e rëndë, arsye se pse sot nuk erdhi në gjykim, është në regjim spitalor. Është në regjim spitalor. Në Shqipëri është. Çfarë vendimi? Pret që Gjykata e Apelit të reflektojë mbi gabimet e tmerrshme të Gjykatës së Shkallës së Parë, sa i përket mënyrës mospranuese refraktare ndaj provave tona dhe vazhdimit në themel të çështjes. Jemi para një rasti suis-generis, nuk pranohet deklarimi dhe konsiderohet si mosdeklarim.”- tha Sokol Hazizaj.

Për çfarë akuzohet Adriatik Llalla

Më 20 maj, gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg, si dhe 5 vjet heqje funksionesh publike, ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Po ashtu, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.

Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

Do jetë vendimi i Apelit të Posaçëm që do vendosë nëse Llalla do shkojë pas hekurave.