zoom

Politikë

Intervista e rrallë e Bashkim Finos: Si e mësova që do bëhesha kryeministër, po luaja tavëll

Bashkim Fino, deputeti i Partisë Socialiste që ndërroi jetë sot, ka qenë kryeministër në vitin 1997, post të cilin e mbajti për pesë muaj. Por, si e mori vesh Fino që do të bëhej kryeministër?

Sot ju sjellim rrëfimin e vetë deputetit të ndjerë, i cili ka treguar se ka qenë duke luajtur tavëll në momentin që e ka telefonuar Namik Dokle.

Rrëfimi i plotë:

Në një situatë të tillë, totalisht absurde, ndodhi kjo gjë. Atë natë po luaja tavëll me mikun tim të vjetër, Hito Hitën. Vajtëm në shtëpi sepse ishte më qetë, lokalet nuk ishin të sigurtë. Njerëzit vriteshin kot, rrinin me pistoletë në xhep si në filmat west. Bie telefoni. Del Namik Dokle i pari. Më thotë: Bashkim do të them një gjë, ti do të thuash se këtij i ka ikur mendja, por po të ishte për veten time do të pranoja. Sikur unë të të propozoj për kryeministër, ti çfarë do të thuash? Unë i thashë- mos bëj shaka në telefon, kjo nuk është për të diskutuar, por më thuaj ndonjë gjë të veçantë që ne nuk e shohim në televizor.

E ai më thotë se:“Kemi biseduar me Berishën, kemi pranuar që të bjerë qeveria Meksi, kemi arritur në konkluzion, po ndajmë vendet e kabinetit, por ne i kemi vënë kusht Berishës për emrin e kryeministrit. I thamë të vinte Fatos Nanon, i thamë për mua e të tjerë, por ai ka vënë kushtin që kryeministri të mos jetë anëtar i kryesisë së PS-së. Ndërsa për ty ai është dakord”. Nga fundi i bisedës kuptova se Namiku fliste seriozisht sepse në fillim kisha dyshim. Nëna ime dhe gruaja po dëgjonin. E unë them se: Namik nuk mund t’i shmangem përgjegjësisë e të them që nuk vij, por është absurde sepse ka shokë më me shumë reputacion, nuk ka pse të vini deri tek unë.

Në një moment të vetëm mendova se çfarë do të bëja, si do të sillesha, duke njohur kush ishte Berisha. Ishin shumë enigma që duheshin zgjidhur sepse unë vija nga Gjirokastra dhe nuk dija çfarë bëhej.…Namiku më tha nuk do të jesh vetëm do të kesh shokët e partisë, por deri në orën 5.00 duhet kthyer përgjigje sepse pas kësaj ore i humb PS-së ky post. Fola me gjithë shokët e kryesisë në telefon, i fundit ishte Rexhep Meidani. Mbaj mend që ishte i ngjirur: ”Bashkim dua mendimin tënd, jam i lodhur nga gjithë këto takime”-më tha. Dakord- i thashë unë.

Sot, Fino i ka përlotur të gjithë kolegët me largimin e tij. I pari ishte Erion Braçe ai që postoi një foto ku shkruante se tashmë shoku i tij ishte në qiell. Më pas kryeministri Edi Rama lajmëroi se sot nuk do të kishte asnjë aktivitet elektoral, ndërsa më pas kanë reaguar të gjithë të tjerët. Fino mbylli sytë në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm, pak më shumë se dy javë pasi ishte infektuar me Covid-19. Ai la pas bashkëshorten dhe djalin e tij, Redi.