zoom

Sport

Inter shkëputet 10 pikë nga Juventus

Interi fiton sërish. Në javën e 24-t të Serisë A zikaltrit mundën 3-0 ndaj Genoa-n në “San Siro”, duke u shkëputur 10 pikë nga Juventusi, 4 më shumë se Milani që mundi Romën në shtëpinë e saj.

Ndeshja nisi në mënyrën më të shkëlqyer për Interin, pasi pa u mbushur një minutë lojë Lukaku gjeti golin, për t’i dhënë qetësinë skuadrës së tij. Gjithsesi, për minuta të tëra, me gjithë dominimin e Interit, rezultati mbeti ai i minutës së parë, për të ardhur më pas te minuta e 69-të, me Darmian që shënoi golin e sigurisë.

10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt shënoi edhe Alexis Sanchez, për të cilin ishte finalizimi i parë në Serinë A në këtë sezon. Në fakt, fillimisht anësori ngriti flamurin për pozicion jashtë loje të Lukakut, por sistemi VAR korrigjoi gabimin, duke e quajtur të rregullt golin. Përfundimisht 3-0 në “San Siro”, me Interin që koleksionon suksesin e pestë radhazi në Serinë A, që i jep një bonus plus në garën për titull.

Napoli fitoi 2-0 ndaj Benevntos në stadiumin “Maradona”, ku shënuan Mertens (34’) dhe Politano. Nga minuta e 81-të skuadra e Gattusos luajti me një lojtar më pak, pasi Koulibaly u ndëshkua me të kuq. Vetëm 10 minuta në fushë për Hysajn, që u aktivizua në vend të Politanos në minutën e 85-të.

Fitore shumë e rëndësishme e Udineses ndaj Fiorentinës në Friuli për garën e mbijetesës. Goli i Nestorovskit në pjesën e dytë i mjaftoi vendësve për të mposhtur skuadrën vjollcë në një ndeshje përgjithësisht të ekuilibruar, por që u zgjidh nga ky episod.

Cagliari e mbylli me 10 lojtarë transfertën e Crotones (Likogiannis karton i kuq 75’), por e fitoi me rezultatin 0-2 më gola të Pavolettit dhe Joao Pedros me 11-m.