zoom

Sport

Inter arkëton shifrën e pabesueshme pas kualifikimit në finale të Champions

Interi ka qenë befasia e Champions League këtë sezon, duke arritur në finalen e parë pas 13 vitesh.

Zikaltërit u gjendën në një grup të vështirë në Evropë këtë sezon, duke u përballur me Bayern Munich, Barcelonën dhe Viktoria Plzen.

Pasi siguruan vendin e dytë, skuadra e Simone Inzaghit fitoi ndaj Portos në fazën e 1/8-tës përpara se të fitonte me Benficën në çerekfinale.

Në gjysmëfinale, Interi mposhti rivalët e Milan me një fitore me rezultat të përgjithshëm 3-0, duke e çuar veten në finalen e Champions League, ku do të përballet me Manchester Cityn, gjithmonë dominues.

Megjithatë, përveçse në aspektin sportiv, Interi do të përfitoj shumë edhe në aspektin financiar pas këtij super sezoni, ku kaluan në finalen e Stambollit.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kualifikimi për në finalen e Champions League ka çuar totalin e fitimeve të Interit nga gara në 101.1 milionë euro.

4.5 milionë euro të tjera do t’i shtoheshin kësaj shifre nëse ata mundin Manchester Cityn në finale.

Duke zbërthyer 101.1 milionë euro, 57.5 milionë euro vijnë nga bonuset e bazuara në rezultate, 15.6 milionë euro shuma bazë, 12 milionë euro nga tregu i të drejtave televizive dhe 16 milionë euro nga renditja historike. /zoom.al/