zoom

Ekonomi

INSTAT publikon shifrat: Sa ra ekonomia gjatë pandemisë

Në vitin e përballjes me pandeminë recesioni ka qenë në nivelin -3.31% krahasur me vitin 2019. Nga projeksionet fillestare të institucioneve ekonomike ndërkombëtare pritej që rënia ekonomike të ishte nga -6 deri në -7.5 për qind.

Sipas INSTAT impakti i pandemisë në ekonominë shqiptare ka qenë i përmbajtur edhe në krahasim me rajonin, ku recesioni mesatar kap shifrat -5.14%.

Njoftim për media

Statistikat zyrtare të INSTAT për Produktin e Brendshëm Bruto dhe rritjen ekonomike gjatë vitit të shkuar 2020 dëshmojnë se, goditja që ekonomia mori nga pandemia dhe recensioni i shkaktuar ishin në mënyrë domethënëse mjaft më të përmbajtura se sa pritshmëritë dhe shqetësimet fillestare.

Ndërkohë që, fillimisht projeksione nga institucione të ndryshme (përfshirë MFE, FMN, BB, KE, etj.) varionin në një interval të recensionit nga rreth – 6% në – 7.5%, sipas statistikave paraprake (në bazë të llogarive kombëtare tremujore) të INSTAT rezulton se rritja reale ekonomike (recensioni) gjatë vitit 2020 ishte vetëm pothuajse sa gjysma e projeksioneve fillestare, konkretisht në nivelin -3.31% krahasur me vitin 2019.

Në gjykimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo përmbajtje e nivelit të impaktit të goditjes nga pandemia në ekonominë tonë, e pasuar nga goditja e mëparshme nga tërmeti, përveç se dëshmon edhe njëherë strukturën relativisht rezistente dhe elastike të ekonomisë sonë përballë goditjeve të tilla (ashtu siç ka rezultuar edhe më parë gjatë krizës globale financiare në vitin 2009), i atribuohet po ashtu në një masë të konsiderueshme edhe menaxhimit makroekonomik e financiar relativisht të mirë që ju bë sërish nga autoritetet, nëpërmjet një miksi adekuat dhe të mirë koordinuar të politikës fiskale e asaj monetare.

Ky impakt më i përmbajtur i goditjes në ekonominë tonë, vihet re edhe në kontekstin krahasimor rajonal, sipas tabelës më poshtë, ku recensioni i Shqipërisë gjatë 2020 prej -3.31% është dukshëm më i kontrolluar se sa recensioni mesatar i vendeve të rajonit prej -5.14%.

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje. Negativisht kontribuan aktivitetet: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me  -0,96 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,49 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0,37 pikë përqindje.