zoom

Aktualitet

Instat: Në 2022-shin u rrit numri i njerëzve që vdiqën nga “shkaqe të paqarta”

Numri i të vdekurve në Shqipëri gjatë 2022-shit, u ul me 21%, duke arritur pothuajse 24 mijë individë. 97% e këtyre vdiqën nga rrethana natyrale, kryesisht probleme me zemrën, 42% e vdekjeve.

Por një pjesë të konsiderueshme të vdekjeve kanë qenë për arsye të paditura, grupi i dytë. Instat raporton se 20% e tyre kanë pasur shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë. Një vit më parë, kjo shifër ishte 16% dhe rritja duket e fortë.

Ndërsa vdekjet me shkak tumoret përbëjnë grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13 për qind të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2021, janë regjistruar 6 për qind më pak humbje jete nga kjo grup-sëmundje.

Nga 23.998 të vdekur gjithsej, 54 për qind ishin meshkuj dhe 46 për qind ishin femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës.

Bie vdekshmëria foshnjore

Në vitin 2022, janë regjistruar 161 vdekje foshnjore. Norma e vdekshmërisë foshnjore është 6.5 për 1000 lindje të gjalla, në krahasim me 8.4 në vitin 2021. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes (perinatale)” dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

“Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” dhe “Dëmtimet traumatike dhe helmime” përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç. Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.