zoom

Ekonomi

Inflacioni i Eurozonës, nivel rekord! Shqipëria rrezikohet nga borxhi i huaj

Inflacioni i Eurozonës u rrit në 4.9% në nivelin më të lartë të regjistruar këtë muaj për shkak të rritjes së kostove të energjisë duke arritur kulmin përpara një rënieje të ngadaltë që do ta mbajë atë të lartë për pjesën më të madhe të vitit të ardhshëm, treguan të martën të dhënat nga Eurostat.

Rritja e çmimeve të konsumit në 19 vendet që përdorin euron u përshpejtua duke arritur nivelin më të lartë në 25 vitet që nga përpilimi i shifrës, nga 4.1% një muaj më parë dhe shumë përpara pritjeve për 4.5%.

Krahas presioneve të kostos nga pengesat e furnizimit të prodhimit dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve, çekuilibrat në tregun e energjisë janë një faktor kyç që nxit inflacionin në të gjitha ekonomitë.

Çmimet e gazit janë rritur ndjeshëm, veçanërisht në Europë dhe rreziqet janë të larta, me nivele magazinimi rreth 28% më të ulëta se sa do të ishin normalisht në këtë periudhë të vitit. Rritja e kostove të ushqimit dhe energjisë në mënyrë të pashmangshme po godet më së shumti familjet me të ardhura të ulëta.

Banka Qendrore Europiane ka argumentuar prej kohësh se rritja e inflacionit është e përkohshme, e shkaktuar nga një sërë faktorësh të vetëm dhe do të ulet me kalimin e kohës, kështu që veprimi i politikës tani do të ishte kundërproduktiv pasi do të pengonte rritjen ekonomike pikërisht kur inflacioni lehtësohet vetë.

Inflacioni pa përfshirë çmimet e ushqimeve dhe karburanteve dhe një masë më e ngushtë që përjashton gjithashtu alkoolin dhe produktet e duhanit, të dyja u rritën në 2.6%, shumë përpara pritjeve për 2.3%.

Edhe pse të dyja këto shifra ishin të larta, kryekonomisti Philip Lane i BQE i ka hedhur poshtë këto lexime në javët e fundit, duke argumentuar se ato janë anuar nga faktorët post-pandemikë dhe kështu që nuk janë matës të saktë të rritjes aktuale të çmimeve.

Ndërkohë ajo që ndodh në Eurozonë ka impakt të drejtpërdrejtë dhe në ekonominë shqiptare. Për të kuptuar më shumë rreth pasojave që ka rritja e inflacionit në Bashkimin Europian në vendin tonë, redaksia e ‘Zoom.al’ kontaktoi ekspertin e ekonomisë, Profesor Selami Xhepa. I pyetur se çfarë rreziqesh i kanosen Shqipërisë nga rritja e inflacionit në normën 4,9% në Eurozonë profesori tha se dy janë pasojat e këtij zhvillimi.

Efekti i parë lidhet me çmimet e larta të importeve nga Bashkimi Europian sepse Shqipëria merr rreth 80 % të importeve nga BE-ja dhe kjo reflektohet drejtëpërdrejt tek konsumatori shqiptar.

Efekti i dytë dhe më seriozi është impakti nëpërmjet normave të interesit, të cilat ndikojnë tek normat e inflacionit. Kjo pasi 50 % e borxhit publik të Shqipërisë është i denominuar (i huaj) prandaj dhe kostoja e rritjes së borxhit është më shqetësuese.

Ne e pyetëm ekspertin e ekonomisë se si mund të përballojë Banka e Shqipërisë rritjen e inflacionit dhe ai tha se aktualisht të gjitha Bankat Qendrore po rishikojnë strategjitë e tyre përsa i përket inflacionit.

Sipas Selami Xhepës, Banka e Shqipërisë do të gjendet në vështirësi, sepse do përpiqet të ruajë në nivele të ulëta inflacionin dhe të kërkojë rritje të normave te interesit por rritja do kërkojë rritje të kostos së borxhit publik. Bankat Qendrore duhet tu kërkojnë qeverive të jenë të kujdesshme me borxhin duke bërë konsolidimin e financave publike pasi kjo është e vetmja mënyrë që të mbahet nën kontroll inflacioni. /Armand Kullau – Zoom.al