zoom

Aktualitet

Indeksi i Barazisë Gjinore: Femrat shqiptare të diskriminuara për paratë dhe kohën, në raport me BE-në

Me më pak kohë të lirë, më pak para e burime financiare, më pak mundësi për të krijuar njohuri, pabarazi në punë e vendimmarrje, më pak akses në shëndetësi, femrat në Shqipëri janë të diskriminuara, në raport me meshkujt.

Me 60.4 pikë nga 100, sipas Indeksit të Barazisë Gjinore, të publikuar nga INSTAT, Shqipëria ka një rrugë të gjatë përpara në mënyrë që të arrijë barazinë gjinore. Gratë në Shqipëri janë të pabarabarta me burrat në pesë fushat, që mat indeksi: Puna; Paratë; Njohuritë; Koha; Vendimmarrja; Shëndeti. Pabarazia më e madhe është në fushën e kohës, ku indeksi është vetëm 48.1. Këtu çalohet në të dy treguesit, që janë aktivitetet e kujdesit dhe ato sociale.

Njohuritë janë një tjetër fushë ku diferenca është e lartë, me 55.6 pikë, me dy nën-fushat, Ndjekja dhe pjesëmarrja (55.3) dhe Ndarja në arsim (56). Gratë nuk kanë shumë akses as tek paratë, i treti tregues më i ulët me 59.6 pikë. Ato çalojnë sidomos në mungesën e burimeve financiare (44.6), që ul ndjeshëm pikëzimin e fushës së parasë, ndërsa janë më mirë në situatën ekonomike (79.6).

Në vendimmarrje pabarazia burra-gra fillon e zvogëlohet, duke marrë 60.9 pikë. Femrat kanë një peshë më të lartë në vendimmarrje ekonomike (74.5) dhe politike (74.5), por çalojnë tek ajo sociale (42.3).

Në fushën e punës, treguesi vijon e rritet, duke arritur në 67.6 pikë. Pjesëmarrja e grave në punë është e lartë (78.3), por pikëzimi ulet kur bëhet fjalë për ndarjen në punë (58.4). Shëndeti është fusha, ku ka më pak pabarazi gjinore, me 81.8 pikë. Gratë kanë vlerësim të lartë si në status (91.6), ashtu dhe në akses (89.1), por janë më dobët në nën fushën e sjelljes (67).

Krahasimi me BE-në, diferenca më e madhe tek paratë dhe koha, ia kalojmë në vendimmarrje. 2020-a është viti i parë që INSTAT ka publikuar indekin e barazisë gjinore, duke e bërë të pamundur krahasimin me vitet e mëparshme.

Ky tregues është hartuar në linjë me atë të Bashkimit Evropian, Gender Equality Index (GEI), që mat konceptin kompleks të barazisë gjinore dhe i bazuar në kuadrin e politikave të BE-së asiston dhe monitoron progresin e tij me kalimin e kohës. Në raport me mesataren e Bashkimit Europian, që është 67.9 pikë, Shqipëria ka një pabarazi gjinore pak më të ulët (7.5 pikë më pak).

Diferenca më e madhe mes Shqipërisë dhe shteteve të BE-së është në fushën e parasë, me 21 pikë (për vendet e BE-së, fusha e parasë është e dyta ku ka më pak pabarazi, pas shëndetit). Edhe në fushën e kohës, Shqipëria çalon në raport me gratë në Bashkimin Europian, me një diferencë prej 17.4 pikësh.

Për njohuritë diferenca është 8 pikë, ndërsa ngushtohet në atë të punës (4.6 pikë). Ashtu si në BE edhe në Shqipëri, shëndeti është fusha ku ka më pak pabarazi gjinore.

Femrat në Shqipëri ua kalojnë atyre në BE vetëm në fushën e vendimmarrjet, ku janë para me 7.4 pikë./ Monitor